Një panel ekspertësh rekomandoi unanimisht vaksinën kundër Covid të Pfizer-BioNTech për fëmijët nga 5 deri në 11 vjeç të martën, hapi i parafundit në procesin që do të lejojë injeksionet tek fëmijët e vegjël të fillojnë këtë javë në Shtetet e Bashkuara.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), agjencia më e lartë e shëndetit publik në SHBA, pritej ta miratonte atë rekomandim më vonë të martën.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) miratoi vaksinën për grupmoshën javën e kaluar, por duke qenë se ajo shpërndahet përmes shërbimeve publike, CDC-së i kërkohet gjithashtu ta rekomandojë atë.

Qeveria ishte shumë përpara vendimit, duke siguruar doza të mjaftueshme për 28 milionë fëmijët amerikanë të grupmoshës dhe duke filluar t’i dërgonte ato në të gjithë vendin.

Që nga miratimi i FDA-së, “nuk ka pasur asnjë moment që ekipet të mos kenë zgjedhur, paketuar dhe transportuar vaksina,” tha të hënën Jeff Zients, koordinatori i pandemisë në Shtëpinë e Bardhë.

“Ne po planifikojmë disa vaksinime deri në fund të kësaj jave,” tha ai, duke shtuar se programi “do të jetë me të vërtetë i fuqishëm javën e 8 nëntorit”.

CDC mblodhi një panel shkencëtarësh të pavarur të martën për të shqyrtuar të dhënat e disponueshme mbi statusin e shpërthimit te fëmijët, efektivitetin e vaksinës Pfizer dhe efektet e mundshme anësore të saj gjatë një dite diskutimesh të transmetuara drejtpërdrejt.

Shqetësimi kryesor ishte rreziku i miokarditit, një inflamacion i muskulit të zemrës, i zbuluar tek adoleshentët dhe të rinjtë (kryesisht meshkuj) pas vaksinimit me vaksinat Pfizer ose Moderna.

Autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar afro 880 raste te personat nën 30 vjeç, nga të cilët rreth 830 kanë kërkuar shtrimin në spital.

Nëntë vdekje dyshohet se kanë qenë të lidhura me miokarditin pas vaksinimit.

Por nga gjashtë rastet e shqyrtuara deri më tani, miokarditi i lidhur me vaksinën nuk u identifikua përfundimisht “si shkaku i vdekjes”, tha në një prezantim kardiologu pediatrik Dr. Matthew Oster.

“Jam shumë më i shqetësuar se çfarë do të ndodhte me fëmijën e tyre nëse sëmuret me Covid, për pacientët që nuk kanë sëmundje të zemrës, sesa nëse do ta merrnin këtë vaksinë”, shtoi ai.

Ka pasur më shumë se 1.9 milion raste të Covid-19 në mesin e moshave 5 deri në 11-vjeçare në Shtetet e Bashkuara, dhe më shumë se 8,300 shtrime në spital, më shumë se 2,300 raste të MIS-C (sindromi inflamator i shumësistemeve pediatrike) dhe rreth 100 të vdekur.

Përfitimet e pritshme të vaksinimit të fëmijëve përfshijnë gjithashtu më pak mbyllje shkollash dhe një reduktim të mundshëm të transmetimit të epidemisë në popullatën e përgjithshme.

“Nëse do të kisha një nip, sigurisht që do ta vaksinoja sa më shpejt të ishte e mundur,” tha Beth Bell, një specialiste e sëmundjeve infektive dhe anëtare e komisionit.

“Ne kemi prova të shkëlqyera të efikasitetit dhe sigurisë. Ne kemi një analizë të favorshme të përfitimit të rrezikut.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb