Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka tejkaluar shifrën e 200 mijë të vdekurve, për shkak të koronavirusit.

SHBA është shteti që ka numrin më të madh të viktimave nga Covid-19 në të gjithë botën.

Sipas mediave botërore, SHBA po humbet deri 800 njerëz në ditë për shkak të Covid-19. Kulmi i të vdekurve për shkak të koronavirusit në SHBA u regjistrua më datë 15 prill, kur u shënuan 2 806 viktima në një ditë të vetme, raporton Reuters.

Gjatë muajve të parë të pandemisë, ekspertët thanë se në SHBA, maksimalisht 200 mijë persona mund të humbasin jetën nga pandemia e koronavirusit.

Të hënën, presidenti i SHBA-ve Donald Trump tha se ai kishte bërë një punë fenomenale për të ndaluar pandeminë e koronavirusit, që ka infektuar gati 6.9 milionë amerikanë.

Trump ka pranuar se ka minimizuar rrezikun e koronavirusit më herët, sepse ai nuk ka dashur të “krijojë panik”.

Kur kanë mbetur edhe më pak se 6 javë nga zgjedhjet në SHBA, të cilat zhvillohen më 3 nëntor, presidenti Donald Trump është më dobët se rivali i tij për postin Joe Biden.

Donald Trump shpesh ka vënë në dyshim këshillat e ekspertëve shkencorë për gjithçka, nga mundësia për të prodhuar një vaksine te rihapja e shkollave dhe bizneseve deri te mbajtja e maskës. Ai ka refuzuar të mbështesë një mandat të maskës kombëtare dhe ka mbajtur tubime të mëdha politike ku pak njerëz kanë mbajtur maska.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb