Presidenti Donald Trump u shpreh se administrata e tij po vazhdon të shqyrtojë nëse do të realizohet takimi i planifikuar për muajin qershor me udhëheqësin koreanoverior Kim Jong-Un.
Komentet e  Trump vijnë pas kërcënimit nga Koreja e Veriut të martën për t’u tërhequr nga bisedimet e planifikuara. Zëvendës ministri i jashtëm i Koresë së Veriut shprehu rezerva të forta lidhur me kërkesat për t’i dhënë fund programit të armëve bërthamore.

Komentet e Washingtonit dhe Phenianit vijnë një javë pasi Koreja e Veriut liroi tre shtetas amerikanë të akuzuar si të rrezikshëm për përmbysjen e qeverisë. Lirimi i tyre u sigurua nga Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, i cili shkoi në Korenë e Veriut për të përgatitur takimin e ardhshëm mes Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit koreanoverior Kim Jong-Un.

Në muajin prill, gjatë një takimi historik me homologun e tij koreanojugor, udhëheqësi koreanoverior u zotua se do ta mbyllte objektin për prova bërthamore dhe se do ta hapte procesin për ekspertët dhe gazetarët nga Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton thotë se Koreja e Veriut duhet ta mbajë premtimin e bërë, në të kundërt, takimi i Kim Jong-Un me Presidentin Trump do të përfundojë pa marrëveshje.
Ai i bëri këto komente në një intervistë që i dha gazetares Greta Van Susteren:
“Ata duan një traktat paqeje. Duan t’u japin fund armiqësive në Gadishullin Korean. Koreanojugorët duan të njëjtën gjë. Të gjithë ne duam paqe në Gadishullin Korean, pas gjithë këtyre viteve dhe mund ta arrijmë këtë, por që kjo të realizohet, duhet të kemi një ç’armatim bërthamor të plotë, të verifikueshëm dhe të pakthyeshëm. Kjo duhet të jetë e qartë”, u shpreh John Bolton. (o.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb