SHBA

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Rusinë, nënshkruar që prej kohës së ish Bashkimit Sovjetik.  Lajmi për tërheqjen e SHBA nga një traktat dhjetëra-vjeçar i kohës së Luftës së Ftohtë dhe që ndalonte prodhimin e armëve bërthamore e ka dhënë Sekretari amerikan Shtetit, Mike Pompeo.

Pompeo tha se duke nisur nga 2 shkurti, Uashingtoni nuk do t’i përmbahet më kushteve të Traktatit të Forcave Bërthamore që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nënshkruar me Rusinë. SHBA akuzon Rusinë për shkelje të traktatit, i cili ndalon prodhimin e disa llojeve të raketave, por Rusia e mohon pretendimin.

Pompeo u tha gazetarëve se SHBA do t’i japë njoftimin zyrtar Rusisë se po tërhiqet nga traktati për një periudhë gjashtë mujore, nëse Rusia nuk rikthehet tek kushtet e paktit.

“Është detyra jonë të reagojmë në mënyrë të përshtatshme,” u tha Pompeo gazetarëve.

Traktati ishte marrëveshja e parë e kontrollit të armëve në botë për të ndaluar prodhimin e një kategorie të tërë armësh, posaçërisht të raketave që lëshohen nga toka me një rreze veprimi deri në 5,500 kilometra.

Tërheqja nga traktati ka shkaktuar shqetësim tek disa analistë në SHBA të cilët shprehen se ky veprim mund të shkaktojë një garë të re armatimesh.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb