Ambasada e SHBA-së në Libi tha se Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të theksojë gjatë Konferencës së dytë të Berlinit rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve libiane siç është planifikuar më 24 dhjetor.

“Në konferencën Berlin II në lidhje me Libinë, Sekretari Blinken do të theksojë rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve kombëtare më 24 dhjetor në përputhje me udhërrëfyesin e dalë nga Forumi i Dialogut Politik Libian”, njoftoi ambasada në Twitter.

Ambasada gjithashtu ripublikoi një postim të Sekretarit Blinken në të cilin ai tha: “Unë do të angazhohem me partnerët tanë për të avancuar paqen dhe stabilitetin përmes dialogut Berlin II. Në pritje të një udhëtimi produktiv”.

Konferenca e dytë e Berlinit do të mbahet sot për të diskutuar procesin politik në Libi dhe zgjedhjet e 24 dhjetorit, me pjesëmarrjen e aktorëve ndërkombëtarë, përfshirë Turqinë.

I mbajtur nën kujdesin e OKB-së dhe Gjermanisë, në takim do të marrin pjesë kreu i Këshillit të Presidencës së Libisë, Mohammed al-Menfi; si dhe kryeministri libian Abdul Hamid Dbeibeh; i Dërguari Special i OKB-së në Libi, Jan Kubis; si dhe ministrat e jashtëm të vendeve pjesëmarrëse.

Konferenca synon të vlerësojë përparimin e bërë në vendosjen e paqes në Libinë e mbërthyer nga konfliktet dhe përpjekjet që synojnë të ruajnë sigurinë në vend.

Ngjarja pritet të theksojë domosdoshmërinë e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale më 24 dhjetor siç është planifikuar dhe tërheqjen e forcave të huaja dhe mercenarëve nga vendi.

Pjesëmarrësit pritet gjithashtu të përsërisin thirrjen për pajtueshmëri me një embargo armësh të vendosur nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së ndaj Libisë dhe të marrin vendime të detyrueshme për të unifikuar forcat e sigurisë në vend.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb