Aktivistët që kërkojnë reforma në sistemin e drejtësisë penale kanë ngritur prej kohësh shqetësimin se një shkelje e vogël si kundravajtje në rregullat e qarkullimit rrugor mund ta shndërrojë një qytetar të thjeshtë në një person që ka kryer vepër penale. Nëse personi nuk është në gjendje të paguajë gjobën për kundravajtjen rrugore, ai ndëshkohet me gjoba shtesë që shpesh e vënë individin në një ballafaqim të tensionuar me ligjin. Pas protestave masive që përfshinë qytetin Ferguson në Mizuri si rezultat i vrasjes së një afrikano-amerikani të paarmatosur, forcat e rendit në Ferguson po analizon shumë prej praktikave e politikave që ndjekin.

Që pas trazirave që e vunë para përgjegjësisë policinë e Fergusonit, zyrtarët e rendit janë përpjekur të reflektojnë dhe analizojnë. Policia vazhdon të zbatojë rregullat e qarkullimit rrugor.Por janë anuluar disa praktika që i bënin afrikano-amerikanët të besonin se policia i shihte thjesht si burim të ardhurash. “Në vend që të na ndëshkojnë me gjoba për shkelje të vogla, kanë hartuar programe për ta ndihmuar dhe jo për ta dëmtuar komunitetin,” thotë Latasha Brown e Shoqatës Komunitare për lagjen juglindore të Fergusonit.

Në 2014, një polic i bardhë qëlloi për vdekje adoleshentin afrikano-amerikan Michael Brown. Incidenti u pasua me disa javë protestash, duke tërhequr vëmendjen tek metodat e përdorura në Ferguson dhe qytete të tjera për të ndëshkuar komunitetet me gjoba të rënda, dërrmuese.

Wesley Bell, që ka punuar më parë si aktivist dhe anëtar i këshillit bashkiak në Ferguson është tani kryeprokurori i parë afrikano-amerikan në komunën Seint Luis: “Kur e sheh situatën nga një kënd më i gjerë kupton që autoritetet në Ferguson janë shkelësit më të mëdhenj të ligjit”.

“Në Ferguson, kur bën diçka të mirë apo të keqe, tani shpesh ka jehonë në shkallë kombëtare. Kjo krijon mundësinë që të bëjmë reforma që ndjehen në të gjithë vendin,” thotë kryeprokurori.

Shtete të ndryshme amerikane po reagojnë. Shteti Mizuri ka vënë një tavan që lejon vetëm 20% të të ardhurave që mund të mbledhin qytetet të realizohen nga gjobat për trafikun rrugor. Teksasi nxori një ligj që i jep mundësi gjykatësit të shqyrtojë nëse i ndëshkuari ka fuqi financiare për ta paguar gjobën. “Kemi parë reforma. Janë ende shumë larg asaj që nevojitet, por ka përparim,” thotë Lisa Foster e Qendrës për Drejtësi në Gjobitje.

Shihet përparim në disa drejtime: “Gjykatat nuk fusin më njerëz në burg pasi nuk kanë paguar gjobat, së paku jo drejpërdrejt për këtë arsye,” thotë zonja Foster. Rreth gjashtë shtete kanë ndalur praktikën e pezullimit të patentave kur personi nuk paguan gjobën. Në shtator, afro 1 milion vetëve në Teksas do t’u rikthehet patenta që u ishte marrë.

Në Ferguson, problemet e drejtësisë penale që dolën në pah pas vrasjes së adoleshentit Brown nuk janë eliminuar. Një raport i ri i zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të shtetit Mizuri thotë se që nga 2014, është thelluar tendenca racore në ndalimet për shkelje të rregullores së qarkullimit rrugor në Ferguson dhe në shkallë shteti.

“Po të shkosh tani do të shohësh një rresht me afrikano-amerikanë duke dalë nga gjykata. Megjithëse përbëjnë 67% të popullatës, në gjykata përbëjnë rreth 98% të të akuzuarve,” thotë aktivisti Michael John Voss.

Banorët në Ferguson thonë se janë të vendosur të ndreqin problemet, ndërkohë që autoritetet përpiqen të gjejnë mënyra për të zbatuar reformat e specifikuara nga Departamenti i Drejtësisë. /Zëri i Amerikës/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb