Duke dalë përtej protokolleve të zakonshme, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i dërgoi një letër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në të cilën ai e shkroi me dorë një mesazh të veçantë nën pjesën zyrtare të letrës. Por pjesa më e rëndësishme ishte mbi këtë pjesë, ku ai i kërkoi Vuçiçit njohjen reciproke me Kosovën, raporton Novosti.

“SHBA-ja është e përkushtuar për marrëdhëniet tona afatgjate. Ne ndajmë vizionin e një Serbie demokratike, stabile, prosperuese dhe demokratike në hapin drejt anëtarësimit në BE. Qëllimi afatgjatë i SHBA-së ka qenë ta shoh Serbinë dhe Kosovën të arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse e përqëndruar në njohjen reciproke”, shkruan Blinken në letrën dërguar Vuçiqit.

Ndërsa “Unë i mbaj në mend plotësisht bisedat tona të mira dhe po pres me padurim rinovimin e tyre”, shkroi Blinken me stilolaps në fund të letrës, e cila u dërgua më 23 shkurt dhe me të cilën ai e falenderoi Vuçiëin për urimin e tij për emërimin si Sekretar i Shtetit, raporton Novosti.

Letrën nga Blinken, Vuçiç e zbuloi një ditë më parë, duke vlerësuar se “duke mos llogaritur historinë e njohjes reciproke me Kosovën”, mesazhi ishte “kuptimplotë dhe i mirë” në të gjitha aspektet e tjera, për të cilat ai falënderoi Blinkenin.

“Unë e përgëzova atë për emërimin në një pozicion të rëndësishëm në Shtetet e Bashkuara dhe besoj se ai gjithashtu kujtoi bashkëpunimin tonë. Ai madje shkroi diçka me dorën e tij, kështu që ky është një lajm i rëndësishëm”, tha Vuçiç.

Në shkurt, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ia kujtoi presidentit serb qëllimin e Amerikës për dialogun Kosovë – Serbi, që është njohja reciproke.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb