Presidenti amerikan, Donald Trump i kërkoi sot Moskës, Damaskut dhe Teheranit të ndërpresin vrasjen e civilëve në provincën e Idlibit, në veri perëndim të Sirisë, ku këto forca kanë intensifikuar bombardimet që prej mesit të muajit dhjetor.

“Rusia, Siria dhe Irani po vrasin mijëra civilë të pafajshëm në provincën e Idlebit. Mos e bëni më!”, theksoi presidenti amerikan, Trump në Twitter duke përshëndetur Turqinë që po punon për të ndaluar këtë masakër. Që prej 16 dhjetorit, forcat e presidentit sirian, Bachar al-Assad, të mbështetura nga aviacioni rus, kanë intensifikuar bombardimet në këtë rajon dhe luftimet e ashpra tokësore mes xhihadistëve dhe rebelëve, pavarësisht një armëpushimi të njoftuar në gusht.

“Damasku ka rimarrë mbi dyzet fshatra”, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDH). Rreth 80 civilë janë vrarë në kuadër të këtij përshkallëzimi të ri dhe dhjetëra mijëra persona janë shpërngulur nga luftimet e ditëve të fundit duke u larguar shpesh drejt kufirit verior me Turqinë. Ankaraja njoftoi dy ditë më parë se kishte zhvilluar bisedime me Moskën për të arritur një armëpushim në Idleb duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të sulmeve.

Edhe Franca ka kërkuar gjithashtu një ndërprerje të menjëhershme të luftimeve, duke akuzuar Damaskun dhe aleatët e tij rus dhe iranian për përkeqësimin të krizës humanitare. Rajoni i Idlebit është i dominuar nga xhihadistët e grupit Hayat Tahrir al-Cham (HTS) dhe lëvizjet e tjera rebele. Regjimi, që kontrollon tashmë më shumë se 70% të territorit sirian është i vendosur për të rimarrë Idlebin.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb