Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi dje se shpreson që kurdët do të sprapsen nga kufiri turk me Sirinë pasi Turqia ka filluar sulmin.

“Shpresoj që ata të sprapsen”, deklaroi Trump duke iu referuar kurdëve.

Aleatët perëndimorë kritikuan sulmin e Turqisë për të marrë nën kontroll territorin e kontrolluar nga kurdët, sulm i cili nisi të mërkurën, duke thënë se rrezikon të shkaktojë një krizë të rëndë humanitare, si dhe të ringjallë grupin ekstremist të Shtetit Islamik.

Trump mbrojti vendimin e tij për tërheqjen e trupave amerikanë nga kufiri i Sirisë me Turqinë.

“Nuk mendoj se ushtarët tanë duhet të qëndrojnë atje për 50 vitet e ardhshme, duke ruajtur kufirin midis Turqisë dhe Sirisë, kur ne nuk mund të ruajmë kufijtë në vendin tonë”,  deklaroi ai duke iu referuar kufirit amerikan me Meksikën.

SHBA ka qenë aleate me kurdët e Sirisë që nga viti 2014, në luftën kundër Shtetit Islamik dhe punuan së bashku për të mposhtur kalifatin territorial. Kurdët humbën rreth 10 000 ushtarë në luftë. Turqia ka një konflikt të gjatë me pakicën e saj kurde.

“Ne shkatërruam ISIS-in, e bëmë punën tonë, na duhet të shkojmë në shtëpi”, shtoi ai.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb