Prokurorët kanë akuzuar prindërit e një të dyshuari për të shtënat vdekjeprurëse në një shkollë në Michigan për vrasje të pavullnetshme.

Autoritetet kanë lëshuar një urdhër arresti për James dhe Jennifer Crumbley, të cilët akuzohen se kanë injoruar shenjat paralajmëruese përpara sulmit me armë.

Ethan Crumbley, 15 vjeç, akuzohet se përdori armën e babait të tij për të qëlluar me shokët e klasës në Oksford, rreth 60 km në veri të Detroitit, këtë javë.

Ai është deklaruar i pafajshëm për disa akuza, përfshirë terrorizmin. James dhe Jennifer Crumbley po përballen me katër akuza secili. Autoritetet në Oakland County u kanë thënë mediave amerikane se aktualisht janë në kërkim të çiftit pasi avokatët e Crumbleys nuk ishin në gjendje t’i kontaktonin ata me telefon.

Në një deklaratë të përbashkët përmes një mesazhi me tekst për BBC, avokatët Shannon Smith dhe Mariell Lehman thanë se Crumbleys “nuk po ikin nga zbatimi i ligjit”, por ishin larguar nga qyteti natën e të shtënave “për sigurinë e tyre”.

Ata shtuan se dyshja do të ktheheshin për gjykimin e tyre, i cili pritej të zhvillohej më vonë të premten. Katër persona u vranë dhe shtatë u plagosën nga të shtënat të martën. Viktimat ishin Tate Myre, 16 vjeç, Madisyn Baldwin, 17, Hana St Juliana, 14 dhe Justin Shilling, 17. 

Të premten, prokurorja kryesore e kontesë Oakland, Karen McDonald, pranoi se akuzimi i prindërve për krimin e supozuar të një fëmije ishte shumë i pazakontë.

Sipas hetimit të zyrës së saj, djali ishte me babain e tij të premten e kaluar kur zoti Crumbley bleu armën e zjarrit që besohet se ishte përdorur në të shtënat. Një postim në rrjetet sociale të djalit më vonë atë ditë tregoi armën e re të babait të tij si “bukuroshja ime e re”, duke shtuar një emoji zemre.

Vetëm një ditë para të shtënave, një mësuese tha se e pa djalin duke kërkuar në internet për municion, gjë që shkaktoi një takim me zyrtarët e shkollës, tha zonja McDonald. Pasi u informua për incidentin, zonja Crumbley i dërgoi një mesazh djalit të saj: “LOL, unë nuk jam inatosur me ty. Duhet të mësosh të mos të kapin”.

Dhe të martën në mëngjes – orë përpara tërbimit – zoti dhe zonja Crumbley u thirrën në shkollë për një takim urgjent pasi mësuesit gjetën një shënim nga djali i tyre, duke përfshirë disa vizatime me armë dhe njerëz të gjakosur, krahas mbishkrimeve si “mendimet nuk do të ndalen. Më ndihmo”, dhe “gjak kudo”.

Djali kishte shkruar gjithashtu “Jeta ime është e kotë” dhe “Bota ka vdekur”, sipas prokurorit. Zyrtarët e shkollës i thanë çiftit se do të duhej të kërkonin këshillim për djalin e tyre. Por prindërit e djalit nuk donin që ai të hiqej nga shkolla atë ditë, tha zonja McDonald, dhe nuk e pyetën nëse e kishte armën me vete, apo nuk kontrolluan çantën e shpinës që solli me vete në shkollë. Në orën 13:22 më vonë atë ditë, zonja Crumbley i dërgoi mesazh djalit të saj për t’i thënë: “Ethan, mos e bëj”.

Disa minuta më vonë bashkëshorti i saj thirri policinë për të raportuar se arma i mungonte, tha prokurori. Por autoritetet thonë se djali kishte dalë tashmë nga banja e shkollës dhe kishte hapur zjarr ndaj shokëve të tij. Zonja McDonald tha se akuzat kishin për qëllim t’i mbanin Crumbleys përgjegjës si dhe të dërgonin një mesazh në lidhje me pronësinë e përgjegjshme të armëve.

“Nocioni që një prind mund t’i lexonte ato fjalë dhe gjithashtu të dinte se djali i tyre kishte akses në një armë vdekjeprurëse që ata i dhanë është e pandërgjegjshme dhe është kriminale,” tha ajo.

Prokurori kishte vënë në dukje më parë se, megjithëse arma ishte blerë legalisht, ajo ” ishte në dispozicion” për përdorim të fëmijës. Sipas saj, i dyshuari e ka marrë armën nga një sirtar i hapur në dhomën e gjumit të prindërve të tij dhe e ka sjellë në shkollë.

Duke shpallur akuzat, zonja McDonald tha se zyra e saj kishte “një mal me prova dixhitale” për të treguar se i dyshuari kishte planifikuar sulmin “shumë përpara incidentit”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb