Qeveria e SHBA-së zëvendësoi prodhuesin britanik të ilaçeve AstraZeneca me rivalin e saj amerikan Johnson&Johnson në një fabrikë prodhimi vaksinash.

Ky vendim erdhi të shtunën pasi AstraZeneca muajin e kaluar regjistroi 15 milionë doza të vaksinës COVID-19 të prishura për shkak të kontaminimit në një fabrikë prodhimi në Baltimore të Maryland, sipas mediave lokale.

Raportohet se “Johnson&Johnson është duke marrë përsipër përgjegjësinë e plotë në lidhje me prodhimin e substancave të ilaçit për vaksinën e saj COVID-19 në ambientin e fabrikës Emergent BioSolutions Inc. Bayview”.

Më tej theksohet se do të rrisin prodhimin dhe numrin e personelit në Emergent pasi planifikon të dorëzojë afër 100 milionë doza të vaksinës COVID-19 qeverisë amerikane deri në fund të majit.

Ndërsa gati 208 milionë doza janë shpërndarë në SHBA, 165 milionë janë administruar që nga e diela herët. Por deri më tani, vetëm 61,4 milionë njerëz, ose 18.5 për qind e popullsisë amerikane, kanë marrë dy doza, sipas shifrave nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Dr. Michael Osterholm, i cili shërbeu në bordin këshillimor të tranzicionit të Presidentit Joe Biden të COVID-19, deklaroi për “Fox News” se SHBA-ja ndodhet në “valën e katërt”.

“Besoj se, në një mënyrë, ne pothuajse jemi në një pandemi të re”, tha ai duke shtuar se lajmi i vetëm i mirë ishte se vaksinat aktuale janë efektive kundër llojit B.1.1.7, i njohur zakonisht si varianti britanik.

Drejtoresha e CDC-së, Dr. Rochelle Walensky, paralajmëroi të hënën e kaluar për “të keqën e afërt” mes rasteve në rritje në SHBA, me 10 për qind në rreth 60.000 raste në ditë nga java e mëparshme.

“E di se udhëtimet janë shtuar dhe jam e shqetësuar se do të shohim valët që kemi parë gjatë verës dhe gjatë dimrit përsëri … Por tani, unë jam i frikësuar”, tha ajo.

Presidenti Biden më vonë të njëjtën ditë deklaroi se: “Ne ende jemi në luftë me këtë virus vdekjeprurës. Ndërsa jemi duke forcuar mbrojtjen tonë, por ende jemi larg nga fitorja e kësaj lufte” sipas një deklarate nga Shtëpia e Bardhë.

Më shumë se 30,7 milionë raste janë regjistruar në SHBA që nga fillimi i pandemisë me mbi 555.000 vdekje, sipas Universitetit Johns Hopkins në Maryland.

Rastet globale kanë shkuar në mbi 131 milionë, ndërsa mbi 2,8 milionë njerëz kanë humbur jetën.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb