DIBËR

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme zbardh detaje lidhur me arrestimin e punonjësit të policisë, për të cilin gazetarja Dorjana Bezat raportoi më herët për “BalkanWeb” se ishte i komanduar në Operacionin Forca e Ligjit”.

Në pranga ka rënë polici Th. Z., i cili sipas SHÇBA, ishte pjesë e aktivitetit kriminal të prerjes së drurëve, transportit dhe shitjes së tyre për djegie në Bulqizë, Mat, Peshkopi, Kurbinit, Fushë-Krujë e Lezhë.

Njoftimi i SHÇBA:

Drejtoria Rajonale e SHÇBA Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër, në kuadër të një procedimi penal, finalizoi operacionin e koduar “Pyjet e Dibrës”. SHÇBA ekzekutoi vendimin penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, që vendosi masën e sigurimit personal “Arrest me burg”, për oficerin e Policisë Th.Z., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mirditë, (në kohën e procedimit). Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale të ‘’Shpërdorimit të detyrës’’.

Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi B.L., nga Fushë Bulqiza, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “’Falsifikim i dokumenteve’’ dhe “Prerje e paligjshme e pyjeve”.

Pas disa muaj hetimesh me metoda speciale u dokumentua me prova ligjore, veprimtaria e kundërligjshme e subjekteve, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar veprat penale.

Mekanizmi i aktivitetit kriminal dyshohet se nis me prerjen e drurëve, transportin, magazinimin e më pas transportin e tyre për shitje për djegie, në Bulqizë, Mat, Peshkopi, Kurbinit, Fushë-Krujë e Lezhë. Pjesë e tregtimit të paligjshëm ishte dhe një minierë, që furnizohej me trupa e shtylla druri që shërbenin për procese të aktivitetit të saj.

Hetimet vijojnë dhe materialet iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Dibër.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb