SHÇBA ka dhënë informacion zyrtar mbi ekzekutimin e vendimeve penale të Gjykatës për disa policë në Korçë e Maliq.

Sipas informacionit, në arrest me burg janë vendosur për 4 policë të patrullës së përgjithshme Maliq, Fillon Kazaferi, Ylli Damo, Ardian Shepllo, Adrian Cekici dhe njëri i Drejtorisë Vendore në Korçë, Marius Kapllanaj.

Nuk kanë shpëtuar as dy të tjerë të cilët vetëm janë pezulluar nga detyra, Orges Vojkollari dhe Fatjola Qose.

 

Këta policë sipas SHÇBA, favorizonin subjekte të paligjshme të prerjes dhe tarnsportit të lëndëve drusore duke informuar mbi vendkontrollet e policisë, lëvizjen e shërbimeve dhe operacionet policore.

Në këtë mënyrë subjektet e paligjshme i shpëtonin ndëshkimeve për veprën penale.

 

NJOFTIMI NGA SHÇBA

Sot, strukturat e SHÇBA-së Elbasan – Korçë, kanë ekzekutuar vendimin penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj 7 punonjësve të policisë, efektivë të DVP Korçë, të dyshuar për “Shpërdorim detyre”.

Ata janë:

  1. A. Ç., 54 vjeç, me detyrë trupë shërbimi, Patrullë e Përgjithshme në Komisaratin e policisë Maliq, me masë sigurie “Arrest në burg”,
  2. A. Sh., 49 vjeç, me detyrë trupë shërbimi, Patrullë e Përgjithshme në Komisaratin e policisë Maliq, me masë sigurie “Arrest në burg”;
  3. F. K., 47 vjeç, me detyrë trupë shërbimi, Patrullë e Përgjithshme në Komisaratin e policisë Maliq me masë sigurie “Arrest në burg”;
  4. M. K., 28 vjeç, me detyrë trupë shërbimi, DVP Korçë me masë sigurie “Arrest në burg”.
  5. Y. D., 49 vjeç, me detyrë trupë shërbimi, Patrullë e Përgjithshme në Komisaratin e policisë Maliq me masë sigurie “Arrest në burg”;
  6. F. Q., 30 vjeçe, me detyrë trupë shërbimi në DVP Korçë me masë sigurie “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.
  7. O. V., 25 vjeç, me detyrë trupë shërbimi, Patrullë e Përgjithshme në Komisaratin e Policisë Maliq me masë sigurie “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.

Masat u bënë të mundura pas një hetimi disa-mujor të SHÇBA-së në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë, ku falë përdorimit të metodave speciale të hetimit u arrit të dokumentohet veprimtaria e paligjshme e punonjësve, të cilët dyshohet se kanë favorizuar subjekte të ndryshme në fushën e prerjes dhe transportimit të paligjshëm të lëndëve drusore në territorin e Maliqit, duke informuar këto subjekte mbi vendkontrollet e policisë, lëvizjen e shërbimeve dhe operacionet policore, me qëllim mosgoditjen e kësaj veprimtarie të paligjshme.

SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për zbatimin e ligjit duke reaguar me shpejtësi dhe efikasitet për vendosjen përpara ligjit të punonjësve që abuzojnë me detyrën.

#08009090SHÇBA

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb