Sulmet e ISIS-it në Paris dhe masakra e San Bernardinos në Kaliforni, e frymëzuar po prej tij, kanë një të përbashkët shqetësuese: askush nuk i parashikoi dot, askujt nuk ia mori mendja se mund të ndodhnin. Sot, kërcënimi më i madh terrorist për Shtetet e Bashkuara nuk është aspak Al Kaeda. ISIS-i është i pasur, i zhdërvjellët, i sofistikuar “online” dhe vepron lirshëm në një territor të gjerë, të cilin e konsideron të tijin. Preferon ta quajnë Shteti Islamik.

Qeveria amerikane e njeh si ISIL. Reporterët e thërrasin ISIS, Shteti Islamik në Irak dhe Siri. Por pavarësisht emrit të vendosur, ai ka fuqinë njerëzore, mjetet e nevojshme dhe pamëshirshmërinë për të sulmuar Shtetet e Bashkuara. Në një intervistë të rrallë të tij, njeriu që supozohet të ndalojë një mësymje të tillë, shefi i CIA-s, John Brennan tha në programin “60 minuta” të “CBS News”, se rreziku që buron nga ky grup i dhunshëm xhihadist është i madh e i shpejtë. “A po vjen ISIS-i në Shtetet e Bashkuara?”, e pyet gazetari Scott Pelley. “A prisni një goditje në tokën amerikane?”. Përgjigjja e Brennanit nuk është e drejtpërdrejtë, por lë të kuptohet mes rreshtash se çdo gjë mund të ndodhë. “ISIS-i, – thotë shefi i CIA-s, – dëshiron që të lërë gjurmën e tij në këtë vend”.

“Unë pres që të ketë përpjekje për të organizuar njerëzit, për të shpërndarë materiale e për të bërë çdo veprim tjetër që do të nxiste sulmet në tokën tonë. Jam i bindur se kjo është e pashmangshme, por nuk mendoj se i tillë do të jetë domosdoshmërisht edhe suksesi i tyre”, – shprehet Brennan. Nga Pelley mbërrin dhe një seri tjetër pyetjesh mjaft interesante. “A ua shpjegoni dot njerëzve që po ndjekin këtë intervistë përse janë kaq të prirur këta persona të na godasin? Përse duan të na vrasin? Si i zgjeron interesat e tyre goditja e Amerikës?”. Komenti i Brennanit është se ajo çfarë grupi më i egër ekstremist i momentit po përpiqet të arrijë, është përplasja e botës perëndimore me atë myslimane. “Mendojnë se në këtë mënyrë do të fitojnë më shumë ndjekës. Ata pretendojnë se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të uzurpojnë vendet e tyre, gjë që nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën”, – shpjegoi Brennan.

Ai shtoi se ISIS-i ka përdorur në të kaluarën armë kimike dhe se ai vetë beson se grupi terrorist ka aftësinë të prodhojë gazin mustard dhe atë klorin. Brennan tha më tej, se nga ngjarjet e Parisit u nxorën disa mësime, një ndër të cilët ishte mënyra tepër e sofistikuar e komunikimeve të koduara në internet, ndaj për parandalimin e episodeve të tilla në të ardhmen do të nevojitet një angazhim maksimal i burimeve njerëzore dhe kapaciteteve teknike.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: