UASHINGTON

Zyrtari i lartë i inteligjencës amerikane rriti sulmet e ashpra të administratës Trump ndaj Pekinit të enjten, duke e etiketuar Kinën kërcënimin më të madh për demokracinë dhe lirinë në të gjithë botën që nga Lufta e Dytë Botërore dhe duke thënë se shteti kinez ishte i prirur për dominimin global.

“Inteligjenca amerikane është e qartë: Pekini synon të dominojë SHBA-në dhe pjesën tjetër të planetit ekonomikisht, ushtarakisht dhe teknologjikisht”, tha Drejtori i Inteligjencës Kombëtare John Ratcliffe në një artikull të opinionit personal, në faqen e internetit të Uall Street Journal.

Ratcliffe, një ish-kongresmen republikan i emëruar nga Trump në krye të spiunazhit të SHBA pranverën e kaluar, tha se Kina paraqiste “kërcënimin më të madh për Amerikën sot, dhe kërcënimin më të madh për demokracinë dhe lirinë në të gjithë botën që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Ratcliffe tha se qasja ekonomike e spiunazhit të Kinës ishte e trefishtë: “Robëto, Repliko dhe Zëvendëso”. Ai tha se strategjia ishte që njësitë kineze të vidhnin pronën intelektuale të kompanive amerikane, ta kopjonin atë dhe më pas të zëvendësonin kompanitë amerikane në tregun global.

Një zëdhënës i ambasadës kineze hodhi poshtë komentet e Ratcliffe si “deformuese të fakteve” dhe hipokrite dhe tha se ato treguan “mendësinë e ngulitur të Luftës së Ftohtë dhe paragjykimet ideologjike të disa njerëzve në SHBA”.

Pekini u ka bërë thirrje shpesh udhëheqësve të SHBA për të pasur kujdes në retorikën e tyre ndaj Kinës, duke ngritur alarme për rolin e shtetit kinez në glob. Qasja e Trump ka çuar marrëdhëniet midis dy ekonomive më të mëdha në botë në pikën e tyre më të ulët në dekada dhe analistët thonë se kjo mund të sjellë pasoja edhe për administratën e Biden.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb