Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka theksuar se kryediplomatët e vendeve anëtare të aleancës patën një “diskutim të mirë” në përgatitje të samitit të liderëve të saj.

“Të gjithë aleatët pajtohen se tani kemi një mundësi historike për të forcuar lidhjen transatlantike dhe për të bërë më shumë së bashku”, u tha Stoltenberg gazetarëve pas takimit virtual.

Stoltenberg shpjegoi se axhenda 2030 e NATO-s në samitin e liderëve të 14 qershorit ka për qëllim përgatitjen e aleancës për një “epokë te re të konkurrencës globale në rritje” me sfida gjithnjë e më të paparashikueshme.

Strategjia e NATO-s e vitit 2030 do të zgjerojë konceptin e sigurisë duke trajtuar sfidat e ndryshimit të klimës dhe duke u përqendruar në qëndrueshmërinë dhe zhvillimin teknologjik.

“Kam besim se deri në samit do të vendosim një axhendë ambicioze për NATO 2030-tën”, tha Stoltenberg.

I pyetur lidhur me mosmarrëveshjen midis aleatëve për shpenzimet e NATO-s, ai tha se “nuk ka asnjë kontradiktë midis përpjekjeve të mbrojtjes kombëtare dhe (zotimeve) të NATO-s”.

“NATO është gur themeli për sigurinë dhe mbrojtjen e të gjithë aleatëve të NATO-s dhe shpenzimi së bashku është një shumëzues i forcës dhe një mënyrë efikase e shpenzimeve”, tha Stoltenberg, duke shtuar se buxheti “dërgon një mesazh shumë të qartë për vetë popullatën tonë dhe për çdo kundërshtar të mundshëm”.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb