Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë pranoi se kishte qenë i parakohshëm përjashtimi i një lidhjeje mes pandemisë së COVID-19-s dhe një rrjedhjeje të mundshme të virusit nga një laborator. Ai tha të enjten se i ka kërkuar autoriteteve kineze të jetë më transparente ndërsa shkencëtarët po kërkojnë të gjejnë origjinën e koronavirusit.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se garantimi i qasjes tek të dhënat e papërpunuara ishte një sfidë për ekipin ndërkombëtar që udhëtoi në Kinë në fillim të këtij viti për të hetuar origjinën e COVID-19-s. Rastet e para të infektimit tek njerëzit u identifikuan në qytetin kinez të Wuhanit.

Zoti Tedros u tha gazetarëve se agjencia e OKB-së me qendër në Gjenevë “po kërkon që Kina të jetë transparente e hapur dhe të bashkëpunojë veçanërisht mbi të dhënat e papërpunuara”, që siç ai tha “organizata i kërkoi që në ditët e para të pandemisë”.

Kreu i OBSH-së tha se kishte pasur një “nxitje të parakohshme” për të përjashtuar teorinë se virusi mund të kishte shpëtuar nga një laborator i qeverisë kineze në Wuhan, duke minuar raportin e vetë OBSH-së së muajit mars, i cili arriti në përfundimin se një rrjedhje laboratorike ishte “jashtëzakonisht e pamundur”.

“Unë kam qenë vetë teknik laboratori, kam punuar në laborator dhe aksidente laboratorike ndodhin” tha zoti Tedros. “Është e zakonshme”, shtoi ai.

Në muajt e fundit, teoria se pandemia mund të ketë nisur në një farë mënyre në laborator, e që ndoshta përfshinte edhe një virus të modifikuar, po merr mbështetje, veçanërisht pasi në muajin maj Presidenti Joe Biden urdhëroi zbulimin amerikan për shqyrtimin edhe të kësaj mundësie.

Kina është kundërpërgjigjur në mënyrë agresive, duke argumentuar se përpjekjet për të lidhur origjinën e COVID-19-s me rrjedhjen nga laboratori janë të motivuara politikisht dhe ka sugjeruar se shpërthimi i virusit mund të ketë nisur jashtë territorit te saj. Në takimin vjetor të ministrave të shëndetësisë të vendeve anëtare të OBSH-së në pranverë, Kina tha se kërkimet e ardhshme mbi origjinën e COVID-19-s, duhet të vazhdojnë në vende të tjera.

Shumica e shkencëtarëve dyshojnë se koronavirusi e ka origjinën tek lakuriqët e natës, por nuk dihet me saktësi se si ai kaloi tek njerëzit, nëse kjo ndodhi përmes një kafshe ndërmjetëse ose në ndonjë tjetër mënyrë. Zakonisht duhen dekada për ngushtuar numrin e burimeve natyrore të mundshme të një virusi që vjen nga kafshët, si në rastin e Ebolës apo SARS-it.

Zoti Tedros tha se “shqyrtimi i asaj që ndodhi, veçanërisht në laboratorët tanë, është i rëndësishëm” për të përcaktuar nëse pandemia kishte ndonjë lidhje me laboratorin.

“Ne kemi nevojë për informacion të drejtpërdrejtë mbi atë se si ishte gjendja e këtij laboratori para dhe në fillim të pandemisë”, tha shefi i OBSH-së, duke shtuar se bashkëpunimi i Kinës ishte jetësor. “Nëse marrim informacion të plotë, mund ta përjashtojmë lidhjen me laboratorin”, tha ai.

Gjatë gjithë pandemisë zoti Tedros e ka vlerësuar vazhdimisht Kinën për shpejtësinë dhe transparencën e saj, pavarësisht ankesave të zyrtarëve të lartë të OBSH-së mbi paqartësitë e ofruara nga homologët e tyre kinezë.

Vitin e kaluar, Associated Press zbuloi se OBSH-ja ishte zhgënjyer nga mungesa e detajeve nga ana e autoriteteve kineze gjatë fazave të hershme të përhapjes së koronavirusit dhe tregoi se Kina po merrte masa për ta mbyllur çështjen e origjinës së pandemisë.

Ekspertë të shumtë të shëndetit publik kanë bërë thirrje gjithashtu për një shqyrtim të pavarur të origjinës së COVID-19-s, duke argumentuar se OBSH-ja nuk ka pushtet politik për të kryer një analizë të tillë mjeko-ligjore dhe se agjencia e OKB ka dështuar pas më shumë se një viti të nxjerrë detaje vendimtare nga Kina.

Jamie Metzl, i cili ka udhëhequr një grup shkencëtarësh që bëjnë thirrje për një hetim më të gjerë të origjinës së pandemisë, i mirëpriti komentet e zoti Tedros, por tha se ishte “thellësisht për të ardhur keq dhe e rrezikshme” që nuk kishte plane aktuale për një hetim të udhëhequr nga ekspertë përtej kësaj agjencie të OKB, duke thënë se Kina ka bllokuar në mënyrë të përsëritur kërkesat për të gjitha të dhënat e duhura dhe mostrat përkatëse.

Profesori i Drejtës në Universitetin Georgetown Lawrence Gostin, një ekspert i ligjin të shëndetit publik, tha se justifikimi i pazakontë i zotit Tedros për bashkëpunimin kinez, nënvizon se sa e dobët është OBSH-ja.

“OBSH-ja nuk ka kompetenca apo peshë politik për të kërkuar qasje tek informacioni jetik për shëndetin global”, tha ai./VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb