Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres në mesazhin e tij të enjten në Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve bëri thirrje për politika, strategji dhe veprime më gjithëpërfshirëse për të arritur barazinë dixhitale për njerëzit e të gjitha moshave.

Guterres tha se asnjë popullsi nuk mund të përfitojë më shumë nga mbështetja sesa personat e moshuar në një botë që gjithnjë e më shumë po mbështetet në teknologji dhe më shumë veprime kryhen në internet, veçanërisht me kufizimet e vendosura në përgjigje të pandemisë COVID-19.

“Barazia dixhitale për të gjitha moshat”, tema e këtij viti në Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve, ofron një shans të rëndësishëm për të zgjeruar mundësitë ndër breza në dobi të shoqërisë në tërësi, shtoi ai.

Sekretari i Përgjithshëm paralajmëroi se personat e moshuar shpesh janë lënë më të izoluar gjatë pandemisë, duke shtuar se ata janë gjithashtu në rrezik më të madh për të vuajtur nga kërcënimi në rritje i krimit në internet.

Ai i kërkoi botës të punojë për të forcuar aftësitë dixhitale të personave të moshuar si një mbrojtje e rëndësishme dhe mjete për të përmirësuar mirëqenien e tyre.

Ai tha gjithashtu se personat e moshuar me aftësi teknologjike  të kontribuojnë në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm që synojnë t’i japin fund varfërisë, të mbrojnë planetin dhe të sigurojnë që deri në vitin 2030 të gjithë njerëzit të gëzojnë shëndet, paqe dhe prosperitet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb