Drejtori i Rendit Publik, Albert Dërvishaj në një deklaratë për “SuperSport” u shpreh se policia do të vazhdojë të sigurojë rendin në stadium, por sipas kompetencave që parashikon ligji. Ai theksoi se polica do të monitoronte gjithçka dhe do të ishte aktive kur të nevojitej ndërhyrja, pro edhe klubet duhej ta merrnin më seriozisht situatën. “Ligji ka një aktivitet disavjeçar në vendin tonë, kompanitë nuk e fillojnë sot punën me sigurinë e objekteve. Ka kompani që janë shumë serioze dhe klubet sportive mund t’u drejtohen me kontrata të plota duke u konsultuar me drejtuesit dhe shefin e komisariatit që duhet të miratojë skemën e shpërndarjes së forcave të policisë. Ne, në një aktivitet sportiv si i djeshmi, planifikonim rreth 100 policë që kanë tagrin e policisë. Krahasojeni vetë numrin e stjuardëve dje me numrin e policëve që planifikohen. Prandaj duhet që edhe klubet sportive të vlerësojnë maksimalisht këtë situatë. Ne jemi konseguentë për të zbatuar ligjin siç na takon, duke qenë prezent, duke qenë përgjegjës për sigurinë. Të gjithë faktorët dhe aktorët që përfshihen në një detyrim të tillë ligjor, duhet të marrin përsipër të bëjnë pjesën që i ka ngarkuar ligji. E kuptoj sensibilitetin e kësaj ngjarje masive, por të gjithë duhet të jenë po kaq të përgjegjshëm për të bërë detyrën e vet. Ne nuk do ta lëmë pa monitoruar stadiumin, pa forca, pa punonjës, do të ndërhyjmë nëse ka cenim të sigurisë publike”, e përfundoi deklaratën e tij Dërvishaj. (o.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb