Shefi i Komisariatit Rrugor në Tiranë, Erion Ahmeti, tha në një intervistë për gazetaren e “BalkanWeb” dhe “News24”, Dorjana Bezat, se Policia e Tiranës ka marrë të gjitha masat për zbatimin e aktit normative për përballimin e situatës së krijuar nga koronavirusi.

Shefi i Rrugores u shpreh se ka një ndërgjegjësim të qytetarëve, lidhur me masat e marra kundër COVID-19, ndërsa shtoi se do ta mposhtim këtë situatë, nëse të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve do i përmbahen rregullisht këtyre masave.

Intervista:

Si po e përballon policia situatën?
Ahmetaj: Që prej fillimit të situatës, Policia e Tiranës ka marrë masat për zbatimin e aktit normative dhe për gjithë ato mjete që qarkullojnë jashtë orareve. Ndjekim gjithë dinamikën e ditës, të gjithë telefonatat e qytetarëve, çfarë shkruhet e ankohet te Komisariati Dixhital.

Cilat janë shkeljet më të mëdha?
Ka një ndërgjegjësim të madh të të gjithë drejtuesve të mjeteve me kufizimin e orarit. Patjetër që ka dhe shkelje të orarit, ku ne kemi marrë masat sipas aktit në fuqi. Policia Rrugore është në krye të shërbimeve, po monitoron të gjitha rrugët, si ato hyrëse dhe dalëse, edhe rrugicat.

Si funksionon policia kur ka emergjencë?
Absolutisht që qytetarët nuk ndëshkohen, kur kanë emergjencë shëndetësore. Edhe në rastet kur nuk mund të komunikojnë në telefon, për shkak të fluksit, nuk i kemi ndështuar.

Sa e vështirë është të shërbesh në këtë situatë?
Ne e kemi marrë përsipër gjithë këtë dinamikë. Është e vështirë për shkak të distancës, je I detyruar të bësh komunikimin me drejtuesit e mjeteve, por jo duke marrë në dorë dokumentacionin. Deri tani kështu kemi vepruar dhe shyqyr Zotit nuk ka ndonjë rast te policët të prekur nga virusi.

Cfarë apeli keni për drejtuesit e mjeteve?
Rrugët janë të boshatisura dhe për këtë drejtuesit nxitojnë për të shkuar në destinacion. Apeli im është që duhet të bëjnë kujdes me normat e sjelljes, me shpejtësinë, pasi edhe moti ka qenë jo i mirë këto ditë. Ne do ta kalojmë këtë sfidë, nëse zbatojmë masat.

Izolimi në fundjavë, si paraqitet sjellja e shoferëve?
Ka ndërgjegjësim të plotë total. Në fundjavë kemi shumë pak probleme, për të mos thënë fare.

A ka shkelje të rregullave të qarkullimit në pjesët e brendshme të lagjeve?
Ka disa lëvizje të vogla që qarkullojnë, por pasi kalon fasha e orarit, është qetësi. Vetëm me ndërgjegjësimin e të gjithëve ne do ta kryejmë punën mirë, por edhe qytetarët do të ndihen më të sigurt.

Çfarë qasje ka pasur policia?
Në rastet që qytetarët ankohen në numrin 112 për një pengesë të çastit, Policia Rrugore është e detyruar të shkojë. Në përgjithësi kemi gjetur mirëkuptim me qytetarët që të mos bëjnë pengesa për lëvizjen e mjeteve. Aty ku ka pas pengesa, kemi marrë masa.

Çfarë apeli keni për qytetarët?
Unë kam një apel për drejtuesit e mjeteve dhe qytetarët në lidhje me respektimin e gjithë cfarë është përcaktuar. Ne do ta kalojmë këtë fazë, edhe pse me këtë lodhje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb