Shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, ka thënë se në fluturimin e sotëm, do të arrijnë në Kosovë shiringat që do të përdoren për vaksinat anti-COVID.

Përmes Twitter-it, Sahin tha se së shpejti edhe detaje të tjera për arritjen e vaksinës do të bëhen të ditura.

“Me fluturimin e sotëm do të arrijë dërgesa e parë e shiringave që do të përdorën për vaksinat anti-COVID në Prishtinë. Së shpejti detaje edhe për arritjen e vaksinave. Bashkë mundemi!”, shkruan Sahin.

Ndryshe, plani i vaksinimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës me vaksinën anti-COVID tashmë është miratuar.

Ministria e Shëndetësisë (MSh) në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se presin përgjigje nga COVAX që gjatë kësaj jave të dihet data kur këto vaksina do të arrijnë në Kosovë.

Sipas MSH-së vetëm konfirmimi nga COVAX pritet që të fillojë procesi i vaksinimit.

“MSh pret që këtë javë të informohet nga mekanizimi COVAX për datën e arritjes së dozave të para të vaksinës, dhe të fillojë praktikisht procesi. Plani i vaksinimit është përgatitur e miratuar dhe po pritet vetëm konfirmimi prej këtij mekanizimi”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Rreth një muaj më parë, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë të ditur se frigoriferët për ruajtjen e vaksinës antiCovid kanë arritur në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, Zemaj ka bërë të ditur se shumë shpejt do të mbërrijnë edhe vaksinat, ndërsa ka shtuar se kanë marrë të gjitha masat për procesin e vaksinimit.

Por, ende nuk dihet data e saktë se kur do të arrijnë vaksinat anti-COVID në Kosovë dhe kur do të fillojë procesi i vaksinimit edhe në vendin tonë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb