Në vijim të rrëfimit për gazetën “Panorama”, inxhinier Luan Pogaçi, ish-shef i Ndërlidhjes së Udhëheqjes, hedh dritë në të tjera mistere nga historia e zhvillimeve tronditëse të kupolës komuniste në vjeshtën dhe dimrin e vitit 1981.

E ndërsa përshkruan me detaje mënyrën si është përgatitur e zbatuar projekti për funksionimin e Ndërlidhjes nga vila e porsapërfunduar e Kryeministrit Mehmet Shehu, zbulon çaste dramatike të papublikuara më parë nga mbledhja misterioze e Byrosë politike, në 17 dhe 18 dhjetor të vitit 1981.

Ndër to, Pogaçi veçon një letër të CIA-s në adresë të Mehmet Shehut që Hekuran Isai e ka lexuar para Enver Hoxhës në prani të të gjithë liderëve të lartë të regjimit. Interesante janë sakaq episodet ku ish-zyrtari i Sigurimit tregon për mënyrën si këmbëngulej për të gjetur një radio që Kryeministri përdorte për komunikime me agjenturat e huaja.

Nuk është e rastit, sipas tij, që protagonist i këtij operacioni ishte përsëri Hekuran Isai, i cili gjatë një takimi në zyrën e tij në Ministrinë e Brendshme, përveç specialistëve të Ndërlidhjes, ka sulmuar ashpër dhe Kadri Hazbiun, asokohe ministër i Mbrojtjes.

Në dy numrat e parë kemi publikuar rrëfimin e Pogaçit për përgjimin e telefonave të liderëve komunistë, veçanërisht të ish-Kryeministrit Shehu, i cili kishte denoncuar vetë për ndërhyrjen në telefonin e tij.

Ndërkohë që ndërhyrje, siç kujton ai, ka pasur dhe në telefonin që Enver Hoxha mbante në banesë. Ndërkaq, Pogaçi zbulon për herë të parë edhe faktin që djali i madh i kryeministrit kishte ngritur një laborator sekret në Tiranë, për të cilin ende nuk dihet se çfarë prodhohej në të…

LUAN POGAÇI

Vila e re e Kryeministrit Mehmet Shehu përfundoi në shtator të vitit 1981 dhe ai u vendos aty me familjen. Në objektin e përfunduar rishtazi ishin vendosur më parë të gjitha pajisjet e ndërlidhjes. Unë, sipas projektit, kisha realizuar instalimet telefonike të interfonisë, linjat e komandimit të radiostacioneve etj.

Në vilë vinin linja nga shumë centrale telefonike, si për telefonin sekret dyshifror, telefonin e ndërlidhjes së kufizuar, telefonin e Ministrisë së Brendshme, atë të Mbrojtjes, për rrjetin e qytetit dhe të Komitetit Qendror. Sakaq, kishim instaluar aty pultet e komandimit të radiove të Ministrisë së Brendshme, të Ministrisë së Mbrojtjes, të garnizonit ushtarak të Tiranës etj. Me miratimin e Kryeministrit kishim bërë të mundur vendosjen e aparaturave në dhomën e gjumit, në sallonin e katit të parë dhe në vendstrehim. Ishte një projekt ky që e kisha realizuar me shumë kujdes dhe përgjegjësi.

Kabllot telefonike shkonin më parë në vendstrehim, i cili ishte një vendkomandë e vërtetë, pastaj shkonin ne sallën e ndenjjes në katin e parë dhe disa prej tyre në dhomën e gjumit të Kryeministrit, komutimet bëheshin me çelës për secilën linjë. Në sallë, në katin e parë ndodhej pulti i komandimit të radiostacionit për ndërlidhjen me Forcat e Armatosura. Te porta e oborrit u vendos për kontrollin e sinjalizimin e kalimeve një pajisje sinjalizuese me rreze infra të kuqe.

Dhoma e gjumit të Kryeministrit ishte mobiluar thjesht, por shumë bukur. Mobiliet ishin të gjitha me rimeso plepi të bardhë, të lyera me llak transparent që vezullonin dhe jepnin pamjen sikur qenë prej fildishi. Te koka e krevatit ishte instaluar një radiomarrëse për lajmet dhe muzikë. I njëjti mobilim edhe në dhomën e gjumit të gruas së tij, Fiqretit.

Krevatet e tyre qenë dopio, ata flinin në dhoma të veçanta, ngjitur me njëra-tjetrën, që komunikonin me një derë të brendshme. Te dhoma e Mehmetit, në fund të saj, ishte një e ndarë e vogël si trekëndëshe mbyllur me derë ku unë hyja herë pas here, pasi kisha vendosur aty një kuti të vogël, ku mbështeteshin kabllot dhe bëheshin komutimet e telefonave.

Po këtu kisha vendosur një radio VUSH kineze (valë ultra të shkurtra) R705 për ndërlidhje me garnizonin ushtarak të Tiranës. Po në këtë ndarje ndodhej edhe një kasafortë e Kryeministrit, ku ai ruante dokumente personale, si dhe kodet e bisedimit me radio. Në vjeshtën e vitit 1981, ngjarjet u rrokullisën me shpejtësi të madhe. Ne që ishim më pranë udhëheqjes, i ndienim më shumë këto tensione.

Po përgatitej Kongresi i Partisë dhe thoshim se çfarë qëndrimi do të mbahej për Mehmetin, si do të reagonte ai, duke ditur temperamentin e tij. Fejesa e Skënderit po prishej. Edhe në grupin e Sigurimit të Kryeministrit shikohej një stepje. Ata profesionalisht qenë oficerë shumë të përgatitur me shumë humor dhe mjaft komunikues. Unë më shumë komunikoja dhe e kisha shok shoferin e tij, Astrit Hitajn, nga Memaliaj. Ai qe oficer dhe i zoti në profesion, kishte një “Citroen” të zi të bukur, në biseda me të tjerët ishte pak cinik, por bashkë komunikonim mirë.

Grupi i shoqërimit (sigurimit fizik) ishte i vendosur pranë vilës në një ndërtesë njëkatëshe, jashtë rrethimit të saj, ku behej shërbim 24-orësh. Aty qenë edhe garazhet e makinave.

Në një nga dhomat e garazhit mund të zbrisje në një pus, nga ku mund të shkojë në një nga vendkalimet nëntokësore që të shpinte te vendstrehimi i vilës, e cila kryesisht shërbente si vendkomande e pajisur me të gjitha aparaturat e nevojshme të ndërlidhjes për drejtimin e ushtrisë. Mirëpo, ndodhi që Kryeministri nuk e gëzoi komoditetin e vilës që ishte ngritur sipas shijes së tij.

MBLEDHJA E BYROSË, 17 DHJETOR 1981

E famshmja mbledhja e stërzgjatur e Byrosë Politike e 17 dhjetorit 1981 ishte posaçërisht për Mehmet Shehun. Në mbledhje, Mehmeti tregoi historinë e fejesës së djalit me vajzën e Turdive. “Nuk i vura rëndësi biografisë, theksoi ai, duke qenë se i ati, Qazim Turdiu, është profesor matematike dhe i lidhur me partinë. Kështu nuk i vura shumë rëndësi kësaj çështje, ndërkohë nuk doja t’i prishja dashurinë djalit”. Ky ishte shpjegimi i Mehmetit për krushqinë, për të cilën po diskutonte Byroja Politike.

Kritikat pafund në adresë të tij, thuajse nga të gjithë anëtarët e Byrosë, ishin për të sa befasuese, aq dhe të rënda. Shokët “e armëve” që deri atëherë nuk i kishin bërë asnjë kritikë (mbase nuk kishin guxuar), pale ta akuzonin siç po bënin tani, tashmë ishin hedhur në sulm të paparë. U ngritën të gjithë me radhë dhe folën.

Mbledhja kishte filluar nga ora 9 e mëngjesit dhe zgjati deri në orën 21. Këtu u ngrit Enver Hoxha dhe tha: “Sikur ta mbyllim për sonte se shkoi vonë dhe e vazhdojmë nesër”. Diçka i vuri në dukje edhe Mehmetit e sakaq mbledhja u mbyll për të vijuar të nesërmen. Të nesërmen, datë 18 dhjetor, unë u nisa për në punë në ora 6:45 (në orën 7:00 fillonim punën) dhe rrugës për në drejtori, në kalim e sipër, kthehem te godina e grupit të shoqërimit të Mehmet Shehut, për të takuar radistin e tij për probleme pune. Vura re që të gjithë ishin mbledhur dhe rrinin në heshtje (ata në të kundërt ishin zhurmëmëdhenj e hokatarë) dhe nuk komunikonin fare.

Ndoshta mendonin fatin e tyre të mëtejshëm. Aty për aty i pyeta çfarë keni që rrini kështu. Njëri prej tyre më thotë: “Shefi ka vrarë veten”. U shtanga në vend dhe nuk dija se çfarë të thosha. Ika shpejt në drejtori dhe takoj zëvendësministrin Xhule Ciraku dhe i them për ngjarjen. Ai u trondit dhe u nis menjëherë për në ministri (drejtoria jonë ishte jashtë ministrisë, në një vilë afër Bllokut, ngjitur me shtëpinë e ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu). Ne e dinim që atë ditë në orë 9:00 ishte lënë vazhdimi i mbledhjes së Byrosë Politike.

Dhe mbledhja nisi siç ishte lajmëruar. Në sallë hyri Enver Hoxha, gjithë të tjerët ishin në pritje. Nuk dinin gjë për ngjarjen. Enveri e filloi me pyetje: “Ju e keni marrq vesh që Mehmet Shehu ka vrarë veten?”. Ata mohuan. Ngjarjen e dinte deri në atë moment vetëm Enver Hxha, Ramiz Alia dhe Kadri Hazbiu, si dhe ne, disa prej shërbimeve të Drejtorisë së Dytë. Kadri Hazbiu, si ministër i Brendshëm, e kishte marrë vesh i pari dhe shkoi te vila e Mehmetit. Prej aty kishte lajmëruar Ramiz Alinëe dhe ky Enver Hoxhën.

Mehmet Shehu kishte lënë një zarf me një letër. Mbi zarf shkruhej: Tepër sekret. Ta hapë vetëm shoku Enver. Enveri ia jep zarfin Ramiz Alise dhe ky e lexoi para anëtarëve të Byrosë. Pastaj letra kaloi dorë me dorë te të gjithë që e njohën shkrimin e Mehmetit. Gjatë kësaj kohe, Enver Hoxha i shqetësuar përsëriste me vete: “Si, ore, ia hoqi vetes? Pse e bëri atë?”.

Në biseda me njëri-tjetrin të gjithë anëtarët e Byrosë ishin dakord me propozimin që kishte bërë Simon Stefani që t’i jepnin Mehmetit një vërejte të rëndë partie. Jo më shumë. Me siguri edhe Enver Hoxha ishte i këtij mendimi. Por tashmë gjithçka ishte përmbysur dhe vlerësimet ndryshuan me 180 gradë. I pari që i dha tjetër rrjedh mbledhjes ishte Hekuran Isai, i cili hodhi poshtë kërkesën që bënte Mehmeti në letrën testament që ngjarja të konsiderohej aksident.

“Ne, shoku Enver,-vuri në dukje ai,-vetëvrasjen e kemi cilësuar tradhti ndaj atdheut, ndaj partisë dhe ndaj popullit”. Dhe si shprehu këto, u afrua pranë Enverit dhe i zgjati një letër të një agjenti të CIA-s që i drejtohej Kryeministrit për bashkëpunim. “Ky është rasti më i fundit, shpjegoi më tej ai, që zbulimi amerikan i kërkonte bashkëpunim Mehmet Shehut”.

Kaq mjaftoi për ta ndezur dhe më tej debatin me sulme të rrufeshme për Kryeministrin e vetëvrarë. Të gjithë dukeshin të bindur se njeriu që partia i kishte besuar drejtimin e qeverisë për shumë e shumë vite, paskej shërbyer për zbulimet e huaja. Letra misterioze e Isait që u lexua në atë mbledhje, ndodhet në arkivin e SHIK-ut. Historia e asaj letre është vërtet e çuditshme.

Në librin e tij, “Kush e vrau Mehmet Shehun”, zoti Pelat Caushi jep një paraqitje të hollësishme të akuzave që iu bënë Mehmt Shehut si gjoja agjent i disa zbulimeve të huaja dhe për këtë fajëson Enver Hoxhën, duke hedhur baltë për punën dhe veprimtarinë e tij. Është fakt që Enver Hoxha i dinte të gjitha informacionet e ardhura dhe kishte më parë dijeni për të gjitha ato akuza që adresoheshin për Mehmet Shehun, por nuk kishte reaguar, sepse e kuptonte që ato të dhëna të mbledhura nga ambasadat apo zbulimi ynë i jashtëm, ishin të mbështetura mbi thashethemet apo deziformacionet e dërguara nga shërbimet e huaja, në funksion të asaj që CIA amerikane, pas dështimit të përmbysjes së regjimit me grupe diversioniste, kishte kaluar në metodën e “Operacioni Plasaritja” që presupozonte përplasjen e figurave kryesore politike e shtetërore me njëri-tjetrin (sipas materialeve të deklasifikuara të CIA-s). Letra që kishte ardhur së fundi i ndryshoi gjithë balancat. Në një nga kapitujt e fundit, “Uashingtoni shtrin një dorë”, z. Caushi tregon për një letër të dërguar në vitin 1981 (kur Mehmet Shehu ishte në krizën e përshkruar më lart), në krye të së cilës ishin emrat e Kryeministrit shqiptar dhe të një titullari të lartë të Shteteve te Bashkuara, të cilët bashkëpunonin me njëri-tjetrin.

Ky dokument nuk erdhi sipas kanaleve zyrtare, por nëpërmjet kanaleve të shërbimeve të fshehta të dy vendeve. Ai i ishte ofruar zbulimit tonë të jashtëm nga një agjent i dyfishtë.

Çuditërisht, agjenti që pruri letrën theksoi se megjithëse ishte agjent i CIA-s, i shërbente edhe zbulimit shqiptar. Rëndom një agjent i dyfishtë mund të jetë dhe i trefishtë, pra, dhe UDB-së Jugosllave që kishte më shumë interes të diskreditonte Kryeministrin shqiptar. Nuk dihet si kjo letër nuk përfundoi në dorë të Kryeministrit, të cilit i adresohej, por në dorë të Hekuran Isait?

DEBATI ME HEKURAN ISAIN PËR RADION SEKRETE TË MEHMETIT

Në muajin janar 1982, rreth orës 12:00, më thërret në zyrë ministri Hekuran Isai. Në të njëjtën kohë vijnë ne Ministrinë e Brendshme drejtori i Ndërlidhjes së Ministrisë se Mbrojtjes, Abas Thana, dhe drejtori i Ndërlidhjes së Ministrisë së Brendshme, Qazim J . Në zyrë të ministrit ishte dhe ministri i Mbrojtjes, Kadri Hazbiu. Diskutimi ishte për radiot e shërbimit të Mehmet Shehut.

Flitej atëherë se djali i madh i tij kishte ndërtuar një radio për t’u lidhur me jashtë dhe e kishte prishur sa kishte ndodhur tragjedia e të atit. Pra, Isai kërkonte radion, sipas tij, që Mehmeti komunikonte fshehtas me shërbimet e huaja. Ne që drejtonim shërbimin e Ndërlidhjes, duhej të shpjegoheshim që Partia t’i shkonte deri në fund këtij misteri. Unë kam ruajtur në bllokun e shënimeve dhe pyetjet që më bëri në atë takim Hekuran Isai: A ka pasur radio të tillë? Kush e ka sjellë, pse i është dhënë Kryeministrit? Të themi teknikisht, pse është dashur. Nga kush është vendosur? Teknikisht, kush e mirëmbante?

Tipi i antenës që përdor a kryen ndërlidhje të largët? A ishte kjo në inventarin zyrtar të Kryeministrit? I pari filloi të jepte shpjegime Kadri Hazbiu. Hekurani e ndërpriste herë pas here si ta kishte vartësin e tij, aq sa dukej sikur e kishte marrë në hetim. Unë raportova duke thënë se të gjitha radiot ishin të invetarizuara dhe me dokumentacion të plotë.

Ajo për të cilën këmbëngulej dhe dyshohej ishin dy radio marrëse-dhënëse relativisht të vogla në valë shumë të shkurtra me tranzistore R-708 kinezë. Këto radio i kishim marrë nga Ministria e Mbrojtjes dhe i shërbenin Kryeministrit për ndërlidhjen me repartet e garnizonit të Tiranës.

Ato qëndronin në fund të dhomës së gjumit në një si aneks të vogël. Në verë i merrnin në Durrës dhe shpesh i përdornin kur dilte Kryeministri në det për të peshkuar, për t’u lidhur me pjesën tjetër të grupit të shoqërimit. Ky qe shpjegimi që dhashë. Takimi vazhdoi afërsisht një orë e gjysmë me pyetje e përgjigje, por më shumë për Kadri Hazbiun që tashmë ishte ministër i Mbrojtjes. Kur dolëm, u shoqërova me drejtorin e Ndërlidhjes së Ushtrisë, A. Thanën.

Duke biseduar, i them që nga sot të kishte kujdes në marrëdhëniet me ministrin. Më pyeti se pse. Iu përgjigja “a nuk e pe si ishin raportet midise dy ministrave, njeri pyeste dhe tjetri përgjigjej si i zënë në faj?”.

Të nesërmen në mëngjes, une, Qazim J. dhe Garip Alushi shkuam në Bllok. Shkuam te vila e Mehmet Shehut, u ngjitëm fillimisht në katin e dytë dhe vajtëm te dhoma e gjumit ku ai kishte vrarë veten. Krevati dhe gjërat qenë lënë njësoj si nga nata e vetëvrasjes së tij.

Pas kësaj u ngjitëm në çati, ku ministri na tha se kishte një antenë (nga e dinte nuk e mora vesh asnjëherë). Verifikuam çdo gjë dhe përfundimisht nuk na rezultoi asgjë e dyshimtë nga të gjitha ato që na kishte thënë Hekuran Isai./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb