ITALI – Shega që në kohët e lashta është konsideruar një frut që sjell fat, bollëk, ndihmon fertilitetin dhe jetëgjatësinë. Kokrrat e saj janë një koncentrat i vërtetë vlerash, që e bëjnë atë një ilaç dhe një aleat të fuqishëm të bukurisë dhe shëndetit.

Kokrrat e shegës janë shumë të pasura me ujë (deri në 80% të përbërjes së përgjithshme) dhe të varfra në kalori (rreth 80 kalori për 100 gramë). Gjithashtu ato përmbajnë shumë kripëra minerale, vitaminë C, polifenole, fibra, proteina, kalium, fosfor, magnez dhe hekur shkruan Tg.com.

Vetitë shëruese të këtij fruti janë të njohura që në kohën e Hipokritit, por vitet e fundit vetitë dhe efektet e saj të dobishme për shëndetin janë njohur edhe nga mjekësia zyrtare.

Shega është një nga frutat më të pasura me antioksidantë dhe veçanërisht kjo e bën atë të çmuar në luftën kundër radikaleve të lira, molekulave të dëmshme përgjegjëse, si dhe ndaj plakjes qelizore.

Në veçanti, shega përmban flavonoide, shumë të rëndësishme sidomos për efektin e tyre kundër plakjes. Për këtë arsye fruti përdoret shpesh në kozmetikë, në përbërjen e kremrave për fytyrën dhe trupin. Në veçanti, shega është e dobishme për të përmirësuar hidratimin e epidermës.

Substancat natyrale me të cilat është e pasur, janë në gjendje të stimulojnë rigjenerimin e qelizave dhe riparimin e lëkurës. Derma, pra shtresa e jashtme e epidermës, përbëhet nga fibra të kolagjenit: kur këto degradojnë dhe humbasin elasticitetin, shfaqjen rrudhat. Shega ndihmon për të luftuar këtë proces, sepse ajo është veçanërisht e pasur me vitaminë C, një nga komponentët më të rëndësishëm të kolagjenit.

Përveç blerjeve të produkteve kozmetike me bazë shege, gjithashtu mund të bëni ndonjë produkt kozmetik në shtëpi, duke përgatitur një scrub të shkëlqyer me farat e grimcuara të këtij fruti të përziera me vaj kokosi ose bajamesh me sheqer.

Shega gjithashtu është një anti-inflamator natyror, përmban acide yndyrore esenciale dhe ndihmon në mbrojtjen e lëkurës nga dëmtimi rrezeve UV. Ky frut përveçse është miku më i mirë i bukurisë së femrave, gjithashtu mund të jetë i vlefshëm edhe për burrat. Sipas një studimi të bërë nga Queen Margaret University në Edinburg, lëngu i shegës është zbuluar të ketë veti afrodiziake për meshkujt.
(er.cu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: