TIRANË

Deputeti demokrat Agron Shehaj ka qenë një ndër të parët që ka denoncuar skandalin me tenderin e Unazës dhënë një kompanie të regjistruar offshore në Delaëare por që rezultoi me dokumente të falsifikuara. Nga studio e emisionit “Të paekspozuarit” në News24, Shehaj deklaroi se fakti që kompania ka qenë offshore është bërë për të transferuar paratë lehtësisht.

I pyetur nëse opozita ka folur mjaftueshëm për këtë aferë, Shehaj dha se edhe denoncimi i tij është denoncimi i PD.
“Unë jam deputet i PD. Në momentin që bëj një denoncim e bëj si deputet i PD. Denoncimi është bërë nga PD dhe PD nuk ka absolutisht asnjë siklet për këtë. Prania ime dhe qëndrimet e mia e tregojnë këtë gjë.
Nuk është e vërtetë që ata kanë shpëtuar nga goditjet e opozitës. Rama mund të jetë përpjekur ta fitojë këtë, mund të ketë pasur synimin për të bashkëpunuar me sipërmarrës afër PD-së që të mos goditet por nuk ia ka dalë qëllimit. PD ka bërë denoncime të vazhdueshme për çdo aferë korruptive që ka ndodhur. Nuk ka asnjë dyshim. Kryetari i PD-së Lulzim Basha e ka përmendur disa herë emrin e Bashkim Ulajt e megjithatë nuk është ky thelbi.
Nuk janë oligarkët që kontrollojnë Edi Ramën. Unë mendoj se Rama i kontrollon oligarkët. Ai ka ngritur një model që po vjedh shqiptarët. Nuk ka sipërmarrës që mund të punojë në Shqipëri pa u bërë palë me Edi Ramën. Mua si biznesmen më vjen keq. Problemi është politik”, deklaroi Shehaj.

Ai tha se Rama po kalon çdo kufi dhe nivelet e korrupsionit kanë kaluar çdo kufi.
“Janë fenomene që nuk i solli Edi Rama dhe është e vërtetë. Edi Rama po kalon çdo kufi. Unë po them diferencën midis qeverisë së mëparshme me këtë qeveri. Por nivelet e këtij korrupsioni kanë kaluar çdo kufi.
Nuk jam këtu për të mbrojtur ata që kanë qenë përpara. Unë jam këtu për të denoncuar aktualitetin, korrupsionin e kësaj kohe. Edi Rama po bashkëpunon me një grup njerëzish duke fituar shumë para me qëllim që pastaj të blejë vota, të blejë drejtësinë e çdo pushtet me qëllim për të mbajtur pushtetin me çdo kusht.
Unë dyshoj sepse iu duheshin lekët në SHBA. Ju thatë se kompania nuk ekziston. Kompania në fakt ekziston dhe lekët do të shkonin tek kjo kompani që ne nuk e dimë e kujt është.
Të transferosh lekët është shumë e vështirë dhe kjo është arsyeja që kanë krijuar këtë kompani offshore për të bërë të mundur kalimin e lekëve pa problem”, tha deputeti i PD.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb