Agron Shehaj, kreu i Partisë Mundësia, në emisionin “Opinion” në News24 tha se opozita nuk mund të marrë armët që të ndalojë vjedhjet e Qeverisë.

Shehaj tha se opozita ka fjalën, ajo paraqet propozimet e saj, ndërsa mazhoranca ka kartonat në Kuvend që i rrëzon.

“Paratë e buxhetit të shtetit të mos shkojnë për ato rrugët me kostot marramendëse, por të shkojnë te ata pensionistët”, tha Shehaj.

Referuar partisë që drejton, Shehaj tha se te ne besojnë ata që duan të qëndrojnë në Shqipëri. “Në takimet që kemi pasur ma kanë thënë: Agron unë nuk jam këtu për Ju, por për fëmijët e mi”. Pra shqiptarët që besojnë te ne, janë ata që mendojnë të mos largohen nga Shqipëria. Kemi mbështetje shumë të madhe dhe kemi bindjen se do të korrim një rezultat të kënaqshëm në zgjedhje, edhe pse partitë e reja përballen me vështirësi në proceset zgjedhore”, tha Shehaj.

Sipas tij, vështirësia më e madhe janë mungesa e buxheteve për partitë e reja, ndërsa partitë ekzistuese, si puna e PS, kanë buxhete qindra milionë euro.

“Në zgjedhje do të hyjmë të vetëm”, tha Shehaj, duke përjashtuar mundësinë e aleancave me parti të tjera, përfshi edhe Partinë Demokratike. Ai tha se shpreson që në zgjedhjet e 2025, Mundësia të fitojë minimalisht 7 deputetë, aq sa duhen për një grup parlamentar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb