Ish-deputeti i Partisë Demokratike Agron Shehaj i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” foli për situatën politike aktuale në vend.

Duke folur për reformën zgjedhore dhe se a mund të ulen palët për të folur për të, Shehaj deklaroi se për sa kohë nuk arrestohen hajdutët e votave, e për sa kohë Rama bashkëpunon me kriminelë, nuk mund të ketë reformë zgjedhore.

Z. Basha ka thënë se është i hapur për të bërë reformën zgjedhore. Mbi të gjitha, Basha ka thënë se ky nuk është thelbi, por thelbi është se zgjedhjet janë vjedhur nga qeveria dhe krimi i organizuar. Jo më kot është shtuar kushti për ndëshkim të atyre që kanë vjedhur votat. Për sa kohë që ata që kanë vjedhur vota, që shpërndanin para, nuk dalin para drejtësisë, në Shqipëri nuk mund të ketë zgjedhje të ndershme.

Ne mund të zgjedhim sistemin më të mirë në botë, por derisa ata që kanë vjedhur votën nuk dalin para drejtësisë, nuk mund të diskutohet për zgjedhje të ndershme. Problemi është që nuk ndëshkohen ata që kanë vjedhur votat. Për sa kohë që këta njerëz nuk dënohen, nuk ka zgjedhje të ndershme, për sa kohë që Gjiknuri qëndron aty ku është, s’mund të ketë zgjedhje të ndershme”, tha Shehaj.

Më tej, Agron Shehaj vlerësoi se kushtet që ka vendosur Gjermania janë një mbështetje e madhe për Partinë Demokratike.

“Partia Demokratike ka vënë në dukje shpesh faktin se duhen dënuar hajdutët e votave dhe ky kusht vihej në dukje edhe nga deputetët gjermanë”, u shpreh Shehaj.

Agron Shehaj theksoi se ngritja e një Komisioni Hetimor për presidentin Ilir Meta tregon se Rama po përdor si instrument këtë komision, me qëllim që të eliminojë politikisht kreun e shtetit.

“Unë mendoj se Komisioni Hetimor për presidentin është një instrument i Edi Ramës për të sulmuar Ilir Metën, për të sulmuar dikë që ia ka prishur planet. Deputetët gjermanë thonë se zgjedhjet e 30 qershorit nuk janë të qarta thonë, pra nuk janë të vlefshme. Rama po tenton të kapë çdo pushtet në Shqipëri”, tha Shehaj.

Në lidhje me negociatat dhe hapjen e tyre të mundshme, Shehaj deklaroi se dëshiron që ato të hapen, por shtoi se edhe mediat gjermane po flasin se në Shqipëri nuk ndëshkohet shit-blerja e votës.

“Qeveria thotë se ne i kemi bërë të gjitha, jemi në rrugën e duhur, disa kushte i shpërfill. Kjo qeveri përsërit të njëjtat gjëra. Kushtet që janë vendosur janë ngritur si probleme nga ana e PD. Shit-blerja e votave është një problem madhor. Thelbi është vullneti politik i mirë për të hyrë në BE dhe jo koha. Grupi parlamentar i CDU-CSU pret që të plotësohen kushtet. Unë do të doja që të hapen, por e shoh të vështirë së paku ata kushte që kanë dalë nga Dw”, vlerësoi Shehaj.

Për Shehajn, opozita qëndron e bashkuar dhe nuk është thyer aspak. “PD nuk pranon që të hyjë në dialog me Ramën, derisa kryeministri bashkëpunon me vrasës dhe kriminelë për të mbajtur pushtet. PD ka pakënaqësi ndaj kësaj qeverie, e cila bashkëpunon me krimin. Si mund të bëjmë marrëveshje me këta nëse ata që vjedhin nuk dënohen. Nuk ka asnjë çarje në PD, opozita është e bashkuar”, shtoi Shehaj.

Sipas tij, Shqipëria do të rritej ekonomikisht dhe do të bëhej një vend më i mirë për të jetuar, vetëm duke luftuar korrupsionin në çdo nivel.

“Korrupsioni është arsyeja kryesore pse në Shqipëri nuk investohet, pse nuk ecën përpara vendi, pse ikin. Vetëm lufta ndaj korrupsionit mund të zhvillojë ekonominë. Duhet të ndëshkohen edhe “kokat e shtetit” nëse janë të përfshirë në korrupsion. Edhe kryeministri nëse ka vjedhur, duhet dënuar.

Ka ndodhur që Kryeministri ka shkuar në burg. Kështu që edhe ne duhet të mendojmë se edhe kryeministri mund të shkojë në burg. Se ka politikanë që vjedhin duke respektuar ligjin, me koncesion.  Gjiknuri u kap duke vjedhur 20 milionë euro dhe bëhet kryetar i Komisionit Zgjedhore. Si mund të luftohet korrupsioni kështu”, tha Shehaj.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb