TIRANE

Deputeti demokrat, Agron Shehaj me tone të ashpra ka kritikuar ashpër  kryebashkiakun, Erion Veliaj. Përmes një postimi në “Facebook”, Shehaj shkruan se Veliaj po tenton të mashtrojë shqiptarët për investimet në konviktet e Qytet Studentit, ndërsa shton se ata janë investime të qeverisë gjermane.

Deputeti demokrat  shkruan se Veliaj  nga ana tjetër, taksat e qytetarëve po i harxhon në fasada dhe projekte qejfi.

Postimi i plotë i Agron Shehaj

Erion Veliaj vazhdon përpjekjet për të përçarë shqiptarët përmes qendrimeve rraciste. Pasi banorët e periferisë së qytetit Tiranë i quajti shpellarë (dhe jo “qytetarë” ai ata të bllokut), sot ka deklaruar se qytetarët e Tiranës po i ankohen se ata nuk duan të paguajnë për investimet e konvikteve të studentëve nga rrethet.

Kjo deklaratë përçarëse së pari është mashtrim i qëllimshëm i publikut, sepse investimet në konvikte po bëhen me kredi të qeverisë gjermane dhe me para të qeverisë shqiptare që paguhen nga të gjithë taksapaguesit shqiptarë.

Së dyti, Veliaj gënjen dhe nuk kupton se “konviktorët” kontribojnë më shumë se sa marrin nga Bashkia Tiranë. Përmes parave që ata shpenzojnë në kryeqytet që nga arsimi, tek qiratë në banesat e qytetarëve të Tiranës dhe shpenzimet e tjera për ushqim, argëtim, etj. Të gjitha këto shpenzime tatohen nga Bashkia Tiranë në një shumë më të madhe se sa bashkia shpenzon për mirëmbajtjen e konvikteve të tyre.

Së treti, qytetarët e Shqipërisë pagujanë taksa që shkojnë për qytetin e Tiranës. A mos duhet, që sipas logjikës përçarëse të Veliajt qytetarët e Vlorës, Korçës, Shkodrës, Kukësit, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë të fillojnë të protestojnë kundër Veliajt që, paratë e taksave të tyre, i ka shpenzuar për fasada dhe projekte qejfi si shëmtia 25 milionë euroshe që ka bërë në Sheshin Skënderbej? Banorët e Tiranës ankohen për paratë (gjermane) të konvikteve apo për paratë e falura kompanisë offshore DH Albania te Unaza e Re?

Së katërti, Veliaj duhet të na thotë, a i kanë thënë gjë qytetarët e Tiranës për paratë e taksave të tyre që ai harxhon për koncerte propagandistike apo për të paguar me çmim 10 fish sa tregu për internet Albtelekomi që paguan me kontrata të majme vëllain “biznesmen” të Veliajt?

Së fundmi, Veliaj duhet të na thotë se çfarë ka bërë me miliona eurot që ka marrë nga taksa për shkollën që u ka vënë qytetarëve të Tiranës që kur erdhi në pushtet ndërkohë që shkollat e Tiranës nuk kanë ngrohje dhe siguri?

Qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë duhet të hedhin poshtë frymën përçarëse dhe rraciste që Veliaj përpiqet të mbjellë gjithmonë. Shqiptarët kanë nevojë të duan dhe respektojnë njëri-tjetrin. Shqiptarët duhet të mbrojnë të drejtat dhe dinjiteti i tyre nga politikanët që urrejnë njerëzit si Erion Veliaj

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb