Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 komentoi situatën aktuale politike. Sipas tij vendimi i PD-së për të djegur mandatet ishte mëse i detyrueshëm, në kushtet kur qeveria e kishte bërë të padëgjueshëm zërin e tyre.

Shehu thotë se përveç protestave opozita duhet të punojë shumë e bindë faktorin ndërkombëtar për drejtimin që ka marrë.

“Djegia e mandatave ishte një vendim i detyruar, i vështirë për tu marrë por i detyrueshëm. Njerëzit janë sensibilizuar me ne, kanë dalë në protesta dhe do vazhdojnë të protestojnë sërish më 16 mars. Me ndërkombëtarët duket të sillemi me miqësi e dashamirësi, t’i bëjmë të kuptojnë se do të jetë një lëvizje popullore masive në të mirë të shqiptarëve”,- tha Shehu.

Sa për zgjedhjet lokale, Shehi u shpreh se opozita nuk e ka marrë ende një vendim përfundimtar, por ai vetë mendon se në këto kushte nuk duhet të hyhet në zgjedhje.

“Akoma nuk është marrë një vendim zyrtar, unë po jap mendimin tim personal. Ne kemi një ngërç politik për të zgjidhur, padyshim opozita nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje. Ne problemin nuk e kemi tek bashkia, por tek qeveria”,- tha ai.

Si ish-ministër i Brendshëm, Shehu komentoi edhe rastet e fundit të dhunës ndaj mjekëve dhe akuzoi qeverinë se është e para që ka nisur fushata anatemomi kundër tyre.

“Mjekët punojnë në kushte të vështira, por në momentin që vetë qeverisja, Rilindja organizon fushata anatemimi për mjekët ndodhin gjëra të tilla. Vetë kryeministri ka pasur një listë të zezë më 100 figura të sistemit tonë shëndetësor. Mua më vjen keq që edhe ata kolegë të mijtë që kishin emrin në listë nuk e çuan çështjen në Prokurori. Ky është sulm frontal që qeveria ju bën atyre”- shtoi Shehu.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb