Tirana do të përballet me Zrinjski të martën në shtëpi në orën 20.00. Në prag të takimit të parë të turit të dytë të Conference League ka folur trajneri i kampionëve të Shqipërisë, Orges Shehi. Shehi vlerëson maksimalisht rivalin, por ka besim se të tijtë do kalojnë tutje.

“Ana psikologjike është mirë, nuk ka vend për të qarë atë që iku dhe në futboll ndeshja e radhës vjen shpejt. Sa mirë që rikthehemi pas një jave dhe ana psikologjike është e mirë për të përballuar një ndeshje ndaj një kundërshtari të ndryshëm nga ai që ishte një javë më parë. Përballemi me një skuadër që ka bërë mirë dhe ka traditë, ka të ndërthurrur eksperiencën dhe lojtarët e rinj. Është një ndeshje sa e vështirë por edhe e pranueshme. Nuk është për Champions, por luajmë sërish përballë kampionëve.Kemi një formacion të pranueshëm përballë kundërshtarit të nesërm. Nesër do të ketë ndryshime pasi ndryshon edhe kundërshtari, kemi zgjedhur një strategji tjetër dhe në fushë do të shihet. Nesër shihen ndryshimet, jo sot. Flasim për një Tiranë që ka boshllëqe në organikë. Ka situata në futboll që të ulin entuziazmin, në 45-minutat e para me Dudelange pamë një Tiranë agresive dhe që shkonte sipas sezonit të kaluar.

Ne nesër kemi menduar një strategji tjetër se ndryshon kundërshtari dhe lojën do ta interpretojmë në mënyrë tjetër. Sa i përket Tiranës serioze siç ishte në sezonin e kaluar, ne këtë pretendojmë. Por, ne kërkojmë të shkojmë aty ku ishim sezonin e kaluar dhe më pas të përmirësohemi. Lojtarët individual rrisin vlerën e skuadrës, por ata kanë lojtarë të huazuar.Ne kërkojmë lojtarët që janë të përballojnë edhe kampionatin, ne nuk duam lojtarë në huazim për Europën. Përballjet në fushë do të tregojnë vlerën, e tregojnë dyluftimet individuale dhe ekipore. Vlerat në letër nuk janë domethënëse në fushë dhe nesër shpresoj të mos ketë dallim fare. Koha ikën dhe mbeten kujtimet, që kthehen ose në pengje ose në nostalgji. Kur humbet një ndeshje kërkon që pengjet t’i minimizosh ose t’i shtosh dhe thua sikur ta kisha bërë ndryshe.

Duhet të jemi agresivë dhe të dalim para porte, disa nga pengjet e ndeshjes që kaloi nuk janë rastet. E rëndësishme është t’i krijosh ato, por janë disa detaje që gabuam dhe humbën përqëndrimin. Këto i takojnë të shkuarës tashmë dhe nuk ka kthim pas. Kërkojmë të përforcohemi për të ardhmen, kemi marrë Hussein për të plotësuar organikën. Dy lojtarë do të afrohen dhe është çështje kohe – Tha ai.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: