Në kualifikimin për fazën “play-off” të Europa League për Skënderbeun një meritë të madhe kishte portieri Orges Shehi, i cili në përballjen e fundit kundër Mllada Boleslav, jo vetëm shpëtoi katërkëndorin gjatë gjithë lojës, por edhe u bë protagonist në goditjet e penalltive.

Në një intervistë për “panorama sport” portieri i korçarëve tregon për pritshmëritë që kishte në shortin e të premtes të hedhur në Nyon të Zvicrës si dhe shanset për kualifikim ndaj Dinamos së Zagrebit.

“Tani jemi në një tjetër nivel, pasi edhe rivalët janë padyshim më të fortë. Nga mënyra sesi u ndanë vazot, kam përshtypjen se ka qenë një short me fat për ne. Kemi shmangur dy ekipe të forta si Ajaksi dhe Fenerbahçe, që sigurisht do të ishin përballje shumë të vështira për ne.

Të them të drejtën, që në fillim, kur pashë ndarjen e vazove, doja të kisha përballë BATE Borisovin ose Dinamon e Zagrebit, për vetë faktin se kemi luajtur kundër tyre.

Dinamon e njohim, por nuk është më ai ekip i fortë. Në bazë të informacioneve që unë kam marr, më rezulton një ekip jo si ai i dy viteve me parë. Prandaj, them që ka qenë një short i mirë. Shanset i kemi 50 me 50.

Ne tashmë do të tentojmë të hyjmë ne grupe për të bërë të lumtur të gjithë shqiptarët, pasi ndeshja ndaj Mladës, tregoi se Skënderbeu nuk është më ekipi i tifozëve të mrekullueshëm të Korçës, por ka mbështetjen e gjithë Shqipërisë”, – deklaroi Shehi.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb