Problemet në shëndetësi, apo zhvillimet në kampin opozitar, ishin në qendër të bisedës që deputeti i PD Tritan Shehu, zhvilloi në Intervistën për ‘BalkanWeb’ me gazetarin Erjon Skëndaj.

“Fenomeni i largimit të mjekëve, apo numri tragjikisht në rënie i mjekëve për 1 mijë banorë, është simptomë, jo sëmundje. Është pasojë e problemeve të mëdha që ka sistemi i shëndetësisë në vend. Kemi arritur në një shifër të frikshme të mjekëve për 1 mijë banorë. Kemi arritur në shifrën e 1.1 mjek për 1 mijë banorë. Ku mesatarja është 3-4 mjekë për 1 mijë banorë”, u shpreh Shehu, ndërsa shtoi se kemi rënë në shifra që mund të çojnë në kolaps sistemin shëndetësor.

Duke u ndalur në arsyet që çuan në këtë rënie të numrit të mjekëve për 1 mijë banorë, Shehu thotë se nuk janë vetëm pagat e ulëta, por rendit edhe kushtet që ofron sot sistemi i shëndetësisë, problemet e kualifikimit e të specializimit, literatura e ulët në dispozicion të mjekëve.

“Mjeku është viktimë e problemit shëndetësor shqiptar,” u shpreh ndër të tjera ish-ministri Tritan Shehu, ndërsa theksoi se mjeku ndjehet mirë atje ku mund të zhvillojë një nivel teknik shkencor, jo vetëm atje ku paguhet mirë.

Ai theksoi se ia njeh si kritikë opozitës, faktin që shumë pak flitet për shëndetësinë apo problemet sociale në vend.
“Unë nuk them se shëndetësia shkëlqeu nën qeverisjen e PD, do të gënjej nëse e them por ka mbi 5 vite që nuk po bëhet asgjë”, u shpreh deputeti demokrat.

Ish-ministri Tritan Shehu u shpreh se sistemi shëndetësor kushton shumë, ndaj është edhe kundër reformave për shendetësi falas.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb