TIRANË – Tritan Shehu, ish-ministri demokrat i Shëndetësisë, ka vënë alarmin sot për “atentatin” që po i bën mazhoranca, familjes shqiptare, duke futur në Kodin e Familjes martesat e homoseksualëve dhe adoptimin e fëmijëve prej tyre. Sipas tij, të mos e pranosh këtë propozim, do të thotë të kundërshtosh një diskriminim të madh që i bëhet vlerave të natyrës njerëzore.

“Njoftohet zyrtarisht që Ministria e Çështjeve Sociale dhe ajo e Drejtësisë do të kërkojë të godasë Kodin e Familjes, – shkruan Shehu në Fb. – Ajo do të dërgoje për ndryshim në Kuvend, nenet 163 dhe 164 te atij Kodi. Tentohet futja e konceptit teëbashkëjetesës homoseksuale në Kod, që i hap rrugë: martesave “gay” në Shqipëri dhe adoptimit të fëmijëve nga çiftet “gay”.

Për Shehun, “kjo do të thotë të shkatërrohet baza e familjes, përbërja e saj nga burri e gruaja dhe me shpresë, më tej fëmijët. Kjo do të thotë të shkatërrohet tradita jonë dhe e njerëzimit, më e mira e garantja për të ardhmen e shoqërisë.”

Duke shprehur hapur kundërshtinë e tij, ish-ministri jep njëkohësisht edhe argumentet se askush nuk të akuzon për dsikrimin në kushtet kur ka një ligj që i mbron këta persona. Ndaj, “të kundërshtosh këtë propozim, larg vlerave të vërteta, nuk do të thotë aspak të diskriminosh ata që kanë prirje seksuale të tilla. Kundër diskriminimit, ne kemi një ligj të mirë, që duhet të aplikohet. Të kundërshtosh këtë propozim do të thotë të mbrosh themelin e familjes e shoqërisë njerëzore, të ardhmen e saj. Do të thotë të kundërshtosh një diskriminim të madh, që kërkohet të bëhet ndaj vlerave të natyrës njerëzore,”- thekson ai.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb