TIRANE- Ish-ministri i Jashtëm, Tritan shehu, ka reaguar ditën e sotme lidhur me votimin pro të Shqipërisë që flamuri palestinez të ngrihet në OKB, qëndrim ky që sipas mediave kosovare është kundër votimit që ka shprehur SHBA. Këtë veprim, Shehu, e ka quajtur një vendim miop të diplomacisë shqiptare.

Në një reagim në rrjetin social “Facebook”,Shehu shkruan se votimi ynë pro hyrjes së Palestinës në OKB është një qëndrim absurd, i gabuar dhe jo produktiv.

“Veprim “miop” i Diplomacisë sonë sot ne Asamblenë e OKB. Votimi ynë pro ngritjen e flamurit te Palestinës ne OKB është një qëndrim absurd, i gabuar dhe jo produktiv, qofte dhe si vendim vete. Vota jone diametralisht e ndryshme nga vota e SHBA është një “gaf” i rende politik e diplomatik. Kjo nuk mund te justifikohet aspak me pritshmëritë për Kosovën, përkundrazi.

Mbështetësi i sigurte dhe i fuqishëm i hyrjes se Kosovës ne OKB janë ne radhe te pare SHBA. Arsyetimi i koordinimit te këtij veprimi me partneret është “foshnjarak”, ne një kohe kur shumica e tyre kane abstenuar, pra nuk i kane dhe votën. Votimi i sotëm nuk i zgjidh problemet ne atë zone, se nuk vjen si pasoje e një konsensusi te gjere, pjese e te cilit duhet te jene jo vetëm ShBA, por dhe Izraeli vete”, thotë Shehu në komentin e tij.

Si një prej figurave të larta drejtuese të PD­së, tashmë pjesë e strukturave të selisë blu, Shehu shprehet se votimi i sotëm nuk i zgjidh problemet në atë zonë dhe nuk vjen si pasoje e një konsensusi të gjerë, pjesë e të cilit duhet të jenë jo vetëm ShBA, por dhe Izraeli vetë.

Më herët mediat kosovare kanë shkruar se vota pro e Shqipërisë ndaj Palestinës erdhi si një qëndrim për të mos krijuar konflikte me vendet islamike të cilat thuhet se po mbështesin anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

MPJ: VOTA E SHQIPËRISË, JO NDRYSHIM TË POLITIKËS SONË TË JASHTME
Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar për votimin në Asamblenë e OKB, duke u shprehur se vota e Shqipërisë nuk përbën asnjë ndryshim qëndrimi të politikës sonë të jashtme.

“Sot, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi me shumicë votash një projekt-rezolutë qe u jep vendeve jo-Anëtare Vëzhguese të OKB-së të drejtën të ngrenë flamurin e tyre pranë atyre të vendeve anëtare të Organizatës.

Shqipëria votoi në favor të kësaj iniciative, ashtu si dhe 118 vende të tjera. Aktualisht, vendet që gëzojnë statusin e jo-Anëtarit Vëzhgues në OKB janë Palestina dhe Vatikani.

MPJ sqaron se qasja e Shqipërisë nuk perbën asnjë ndryshim qëndrimi të politikës sonë të jashtme. Shqipëria i përmbahet në mënyrë konsistente qëndrimit të saj për zgjidhjen e konfliktit në Lindjen e Mesme mbi parimin e dy shteteve. Çdo spekulim tjetër është dashakeq dhe dëshiron të shtrembërojë këtë qëndrim konsistent të shtetit shqiptar”, thuhet në reagimin e MPJ.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb