*SHELL konsolidon pozitat në Shqipëri
*Gjiknuri: Ky është një lajm shumë pozitiv për të ardhmen e industrisë hidrokarbure në Shqipëri

TIRANE-Petromanas njoftoi shitjen e 25% të aseteve të veta tek partneri SHELL me të cilin që prej Shkurtit të vitit 2012 vepronte në kuadër të një marrëveshjeje hidrokarbure kërkimi nafte në Shqipëri. Transaksioni në vlerën 45 milion dollarë është njoftuar në faqen zyrtare të Petromanas dhe kompania sqaron se gjithçka merr vlerë ligjore duke filluar nga data 15 Mars.

Petromanas dhe SHELL ishin bashkarisht pjesë e një kontrate për operacionet e kërkimit të naftës në blloqet 2 dhe 3 në Shqipëri, ku janë realizuar edhe shpimi i tre puseve Shpirag 1, Shpirag 2 dhe Molisht 1. Më 5 Gusht 2015, këtyre dy kompanive ju dha e drejta që të negociojnë për kërkim edhe në bllokun 4 po në Shqipëri. Deri më tani, Petromanas dhe SHELL ndaheshin mes tyre respektivisht në 25% dhe 75% në këto marrëveshje hidrokarbure.

Sipas transaksionit të arritur dhe njoftuar tanimë nga Petromanas, SHELL do të marrë kontrollin e plotë të aseteve në këto marrëveshje hidrokarbure. Ky konsiderohet një zhvillim pozitiv për industrinë e naftës në Shqipëri pasi pavarësisht çmimeve të ulëta në tregjet botërore vazhdon të mbetet i lartë interesimi i kompanive prestigjoze për naftën shqiptare.

Ministri Gjiknuri: Zgjerimi i aktivitetit të SHELL, lajm i mirë për Shqipërinë
Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri e cilësoi shumë pozitiv zgjerimin e aktivitetit të kompanisë prestigjioze të naftës SHELL.

“SHELL, një ndër shtatë kompanitë më të mëdha në botë në fushën e naftës ka vendosur ta zgjerojë aktivitetin në Shqipëri. Ajo tashmë ka marrë plotësisht kontrollin e marrëveshjes koncesionare të kërkimit të naftës në blloqet 2 dhe 3 ndërsa po negocion një tjetër marrëveshje për bllokun 4. Ky është një lajm shumë pozitiv për të ardhmen e industrisë hidrokarbure në Shqipëri. Rritja e interesit nga kompania SHELL si dhe afrimi i gjigandit izraelit të naftës Navitas Petroleum, pjesë e Delek Group, shton pritshmërinë për potencialet që ofron vendi në fushën e naftës. Pavarësisht faktit se çmimet e naftës kanë pësuar rënie në tregjet botërore, rezervat e naftës në nëntokën shqiptare shihen me interes për kompani ndër më prestigjiozet në botë. Ky interesim në rritje i kompanive serioze është gjithashtu një konfirmim i suksesit të politikave të ndjekura nga qeveria në zhvillimin e industrisë hidrokarbure”, shkruan ministri Gjiknuri në rrjetin social Facebook.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: