Një ndërtesë u shemb të mërkurën në qytetin verior të Sirisë, Aleppo, duke vrarë të paktën 11 persona, duke përfshirë tre fëmijë, njoftoi televizioni shtetëror sirian.

Televizioni tha se ndërtesa pesëkatëshe e ndërtuar ilegalisht në lagjen jugore të Alepos, Fardous, u shemb në mbrëmje. Shtatë gra, tre fëmijë dhe një burrë i moshuar mbetën të vrarë.

Raporti tha gjithashtu se dy persona u plagosën dhe shtatë ndërtesa aty pranë u evakuuan nga frika se mund të shemben gjithashtu.

Agjencia shtetërore e lajmeve, SANA, citoi kreun e këshillit të qytetit të Aleppos, Muid Madlaji, të ketë thënë se ndërtesa ishte ndërtuar ilegalisht dhe kishte themele të dobëta. Ai shtoi se zona pësoi dëme të mëdha gjatë luftës.

Fardous ishte një lagje e mbajtur nga rebelët deri në dhjetor 2016, kur forcat qeveritare me ndihmën e Rusisë dhe Iranit pushtuan pjesët lindore të qytetit, i cili ishte mbajtur nga kryengritësit për katër vjet.

Shumë ndërtesa në Aleppo u shkatërruan ose u dëmtuan plotësisht gjatë konfliktit 11-vjeçar të Sirisë, i cili ka vrarë qindra mijëra dhe ka zhvendosur gjysmën e popullsisë.

Alepo është qyteti më i madh i Sirisë dhe dikur ishte qendra e tij tregtare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb