Erl Murati, kryeredaktori i Gazetës Shqiptare, e ka cilësuar shembjen e ‘Prestige Resort’ si një akt hakmarrjeje nga kryeministri Edi Rama për shkak të linjës editoriale të mediave “Hysenbelliu Group”.

“Ky është një akt i pastër arbitrariteti, në mungesë të plotë transparence, duket se autokracia ka arritur në nivele të panjohura më parë, e shohim se nuk kemi komunikim të qarrtë me institucionet të cilat refuzojnë të informojnë.

Aksioni që ka nisur dje dhe vijon edhe sot, bëhet në mungesë transparence dhe autoritetet as e kanë vënë ujin në zjarr qoftë dhe për të dhënë një informacion formal”, u shpreh ai.

“Kujtojmë se vetë kryeministri ka qenë në atë resort, ai nuk u ndërtua sot, resorti me leje dhe dokumenti është publikuar tashmë, por edhe po të ishte pa leje, kemi veprim me dy standarde pasi kemi parë që qeveria me ndërtesa në mes të Tiranës që nuk kanë leje, ka hyrë në negociata, ndërsa në këtë rast ka dërguar forcat xheniere.

Ky akt është i paligjshëm. Në asnjë vend në rajon nuk mund të ndodhë kjo, është akt i pastër arbitrariteti që kërkon reagim.

Nuk ka nevojë të jesh jurist për të kuptuar se drejtësia e re vijon në shinat e asaj të vjetrës, ka frikë nga qeveria”, thekson Murati.

“Do duhej të kishim dhe një reagim nga Prokuroria, kjo nuk është hera e parë që fadromat shkojnë për të shembur objekte, por kjo bëhet përmes një procedure ligjore, dhe këtu bëhet fjalë për një ndërtim me leje, dhe jo një ndërtim që është i palegalizuar apo në proces legalizimi.

Cilado qoftë pretendimi i qeverisë, nuk është kjo mënyra për të vendosur drejtësi. Bëhet fjalë për një hakmarrje për shkak të linjës editoriale që mediat tona kanë ndjekur, dhe një shantazh në dritën e afrimit të zgjedhjeve”, theksoi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb