Dy ditë më parë, IKMT hodhi në erë “Prestige Resort” një godinë 7-katëshe që për shumë vite u kthye në imazhin e bregdetit të Adriatikut duke pritur turistë të shumtë nga jashtë vendit, por edhe pushues nga trevat shqiptare.

Ishte drejtoresha e IKMT, Dallëndyshe Bici e cila iu dha ultimatum vartësve dhe hodhi firmën për shpërthimin me eksploziv të godinës së “Prestige Resort” në Golem, duke u kthyer në veglën e kryeministrit Edi Rama për të çuar deri në fund hakmarrjen e tij dhe sulmin ndaj raportimit të realitetit në Shqipëri dhe linjës editoriale të mediave në pronësi të presidentit të “Hysenbelliu Group”, Irfan Hysenbelliu.

Bici, si e tillë nuk pyeti as për shtet ligjor dhe as për vendime gjykatash, por vendosi 70 kg eksploziv të cilat hodhën në erë godinën më pak se 24 orë nga afati i njoftuar nga Gjykata Administrative për shqyrtimin e ankimimit në lidhje me ligjshmërinë e ndërtimit të godinës. Çdo mekanizëm i strukturës së drejtuar nga Bici u vu në lëvizje që shembja e godinës të finalizohej para ditës së hënë.

Por kjo nuk është hera e parë që Bici firmos për llogari të kryeministrit Edi Rama duke shkelur të drejtën e qytetarëve, me urdhrin për shkatërruar ndërtimet me leje. Në vitin 2018, ankesa e banorëve të Shkozës të cilët humbën shtëpitë nga projekti i “Unazës së Madhe” shkoi deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në raportin e DASH për vitin 2018, thuhet se të paktën 30 qytetarë kishin dorëzuar ankesat kundër IMT dhe IKMT duke thënë se pronat e tyre po shkatërroheshin edhe pse ato ishin në proces legalizimi. Disa prej tyre paraqitën dokumentet me titujt ligjorë mbi pronat, por nuk kishin marrë asnjë kompensim kur shkatërrimi kishte nisur.

“Ndërhyrje Arbitrare apo e Jashtëligjshme në Privatësi, Familje, Shtëpi, apo Korrespondencë Kushtetuta dhe ligjet i ndalojnë të tilla veprime, por pati raportime se qeveria dështoi t’i respektonte këto ndalime. Deri në gusht, Zyra e Avokatit të Popullit kishte marrë 30 ankesa të qytetarëve kundër Inspektorateve për Mbrojtjen e Territorit dhe nëntë kundër Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT), të cilat rregullojnë ndërtimin, zhvillimin vendor dhe burimet ujore.

Zyra e Avokatit të Popullit vërejti se kishte rritje në numrin e ankesave për veprime të paligjshme, të parregullta, apo të vonuara nga inspektoratet vendore dhe kombëtar. Banorë në Shkozë u ankuan se IKMT kishte filluar të shkatërronte pronat e tyre edhe pse ata kishin filluar tashmë një proces legalizimi. Disa prej tyre kishin dokumente që tregonin tituj ligjorë mbi pronat, por nuk kishin marrë kompensim kur shkatërrimi kishte filluar. Bashkësia Islamike Shqiptare mori ankesa të ngjashme nga qytetarë të inatosur për shkak të mungesës së rezultateve në marrjen e kompensimit nga procesi”, thuhet në raport.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb