Rruga e cila ka rrëshqitur në afërsi të Borshit duke shkaktuar një sërë problemesh në qarkullimin rrugor si dhe rrezikon disa banesa do të kalojë në lupën e KLSH.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ngritur një grup kontrolli për të verifikuar të gjithë proçedurën e realizuar për punimet e kryera përgjatë viteve të fundit në aksin nacional rrugor Himarë-Sarandë pas situatës problematike të shfaqur në fshatin Borsh.

Një ekip i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka nisur menjëherë verifikimin e proçedurave të kryera nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar për punimet e kryera pak kohë më parë dhe mirëmbajtjen e saj. Kujtojmë se është hera e parë që KLSH nis kontrolle urgjente.

Ekipi i KLSH prej ditësh po kryente një kontroll pranë ARRSH ndërsa ditën e sotme është firmosur nga ana e kreut të KLSH-së, Arben Shehu një urdhër urgjent për të parë me imtësi të gjithë proçedurën përkatëse si dhe verifikimin fizik të punimeve të kryera në të. Kontrolli i Lartë i Shtetit po verifikon me imtësi gjithashtu dhe procedurat e disa akseve rrugore në vend.

Rruga e shembur i përket zonës D, që i përket rajonit jugor-Vlorë-Gjirokastër, me gjatësi 350 kilometra, dhe me vlerë 13.7 milionë euro u shpall fitues një konsorcium i përbërë nga kompania Elicatechnical Commerce Societa dhe kompania “Salillari” sh.p.k.

Kujtojmë që rruga u rikonstruktua 1 vit më parë, dhe “Salillari” do ta mirëmbante.

Financimi për të gjitha rrugët në Shqipëri për mirëmbajtjen në total ka qenë 128 milion euro nga të cilat 65.9 janë dhënë nga Banka Botërore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb