‘Një shembull frymëzues i ndryshimit që di të sjellë gjenerata e shqiptarëve të rinj, kreativë e inovativë’. Kështu e përshkruan Kryeministri Rama 20 vjeçaren durrsake Xhulia Kurti që ka rrëmbyer vëmendjen e liderëve të zhvillimit teknologjik botëror si Bill Gates e të tjerë, me pasionin për teknologjinë.

Përmes një video rrëfimi të vetë Xhulias në faqen e kryeministrit në facebook, studentja shqiptare tregon si u rendit e dyta në konkursin botëror të projekteve teknologjike, ku ka impresionuar jurinë me projektin e saj për komunikimin dhe shkëmbimin e materialeve pa internet apo wifi.

“Modeli më i mirë i suksesit që unë kam është Steve Jobs dhe do doja shumë të arrija në hapat e tij. Ky pasion ka lindur herët që në vitin 2008, pasi qasja ime me internetin ka qënë shumë e hershme në internet-kafenë e babait tim. Aty mësova si të programoja dhe aty kam marrë frymëzimin e parë”, rrëfen Xhulia.

Studentja e Universitetit të Durrësit tregon mbi projektin që e renditi të dytën në garën globale të teknologjisë.

“Internet pa wifi besoj se do jetë e ardhmja dhe kjo ide më lindi para dy vitesh. Konkursi është patronazhuar nga Ministria e Teknologjisë dhe Infrastrukturës gjermane dhe mbështeste teknologjitë e zhvilluara mga viti 2020 në 2021 duke na dhënë ne një afat kohor për zhvillimin e prototipit. Së shpejti ne do kemi në treg prototipin të aksesueshëm nga çdo individ, nga çdo klasë shoqërore.”, tha ajo.

Xhulia beson se tregu i teknologjisë duhet të jetë i aksesueshëm nga çdo individ pavarësisht statusit të tij financiar, për të parë përmes teknologjisë, këndvështrime të ndryshme të botës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: