NGA ANISA YMERI*

Rreziku që i kanoset kishës që mban emrin ‘Shën Thanasi’ në Dhërmi, e rindërtuar nga besimtarët në kapërcyell të vitit 1990 në rrënojat e vjetra, pronë e Kishës Ortodokse, shënon sipas saj një moment të prishjes së marrëveshjet që institucionet e kultit kanë me shtetin shqiptar!

Thoma Dhima, zëdhënës i Kishës Ortodokse, pohon: “Në këtë mes të gjitha veprimet u bënë në mënyrën më të papranueshme, më jashtëligjore dhe më antishtetërore të mundshme duke shkelur në radhë të parë marrëveshjen që kisha ka me shtetin, e cila ndalon në mënyrë të prerë mundësinë e ndërhyrjes në objektet fetare, sipas së cilës shteti merr përsipër garantimin e sigurisë së objekteve të kultit. Kështu, shteti në vend ta mbronte, ka lejuar cenimin e një objekti fetar”

Me parantezën se Kisha e ‘Shën Thanasit’ nuk është në listën e monumenteve të kulturës, zyrtarisht nga Ministria e Kulturës reagimi për këtë ngjarje ka qenë ky: Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë, në bashkërendim me Kreun e Bashkisë dhe strukturat vendase, kanë rëndë dakord se të gjitha veprimet duhen bërë konform legjislacionit në fuqi, duke kërkuar lejen e KKR-së…!

Por zëdhënësi i Kishës Ortodokse, e analizon kështu këtë shpjegim, duke akuzuar hapur qeverisjen qendrore dhe vendore. “Nuk ka asnjë mundësi që të ndiqet linja e monumenteve siç po pretendohet pasi nuk është monument kulture por pronë e Kishës. Po përpiqen t’i japin një mbulesë ligjore veprimeve antiligjore që u kryen”, thekson zëdhënësi Dhima. Sipas tij, veç reagimit kundër për çka ndodhur, kisha do të ndërmarrë të gjitha hapat institucional të domosdoshëm për këtë çështje.

Në këtë vend, deri në vitin 1942 ka qenë i varrosur murgu arbëresh Nilo Katalano, i zhvarrosur prej andej dhe jo zyrtarisht, pretendohet se në vendin ku sot është kisha ka një përpjekje për t’u ngritur një memorial në nder të tij.

Përkundër kësaj, për pak histori…rrugëtimi i këtij objekti kulti është ky!

Kisha e ‘Shën Thanasit” në Dhërmi, në vitin 1972 u rrafshua nga regjimi komunist dhe gurët e saj u përdorën për të ndërtuar depon e ujit të fshatit dhe në atë vend nuk kishte më kishë. Në vitin 1992 mbi rrënojat e saj u ndërtua një kishëz e re nga banorët e Dhërmiut, në po atë vend të shenjtë në të cilën janë kryer shërbesa dhe janë lutur besimtarët në këto 23 vjet.

Ishin besimtarët ata reaguan me forcë dhe kundërshtuan prishjen e kishëzës, megjithëse sipas zëdhënësit Dhima, u përpoqën t’i mashtronin, duke nisur që nga kreu i bashkisë. Ata u mobilizuan që të mos prekej kisha dhe dolën në mbrojtje të vendit të shenjtë në të cilin janë falur brez pas brezi.

PBDNJ: TENTOHET RRËNIMI I KISHËS SË SHËN ATHINASIT, SHKELJE E RËNDË E LIRISË DHE BESIMIT FETAR
PBDNJ ka reaguar ndaj rrënimit të kishës në Dhërmi, duke e cilësuar këtë ngjarje një shkelje të rëndë të lirisë dhe besimit fetar. Nëpërmjet një deklarate për mediat, PBDNJ dënon ashpër këtë ngjarje, duke u shprehur se po tentohet rrënimi i kishës së Shën Athanasit, që është objekt i kultit Orthodhoks.

“Dënojmë ashpër ngjarjet e rënda të dy ditëve të fundit në qytezën e Dhërmiut – Himarë, ku po tentohet rrënimi i një objekti të kultit Orthodhoks, konkretisht kishës së Shën Athanasit. Aktet që kanë nuanca të persekutimit përbëjnë shkelje të rëndë të respektit të imponuar të lirisë së besimit fetar, të karakterit hyjnor të vendit të shenjtë dhe cënim të pronës së ligjshme të një komuniteti fetar, përbëjnë precedent të rrezikshëm dhe janë të pakonceptueshme për realitetet europiane.

Na çudit heshtja, indiferentizmi dhe mosveprimi i strukturave shtetërore dhe qeveritare ndaj akteve të tilla joligjore dhe antikushtetuese që kanë provokuar rëndë ndjenjat e besimtarëve dhe standardet e të drejtave të sanksionuara të njeriut dhe lirive fetare”, thuhet në reagimin e PBDNJ-së.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: