Nga: VALENTINA MADANI*
TIRANE – Legalizimi i Partisë Demokratike përplasi dje në “Facebook”, dy prej themeluesve të saj, Shinasi Ramën me ish-kryeministrin Aleksandër Meksi. Një status në profilin e tij, publikuar nga Shenasi Rama, ku shkruan për kohët e vështira të legalizimit dhe organizimit të PD-së ngacmoi themeluesin e saj dhe ish-kreun e qeverisë demokratike, Meksi. Ata nuk bien dakord për numrin e firmëtarëve të PD-së.

Sipas Shinasi Ramës, legalizimi dhe organizimi i PD-së u mori firmëtarëve plot katër ditë, pasi nuk i bënin dot 300 firmat. Rama shkruan se po të mos ishin 183 studentët që nënshkruan pa asnjë garanci, nuk do të kishte sot as PD dhe as opozitë, duke kujtuar se kjo parti u legalizua me vetëm 285 firma.

“Sot (dje) është fillimi i organizimit të PD-së. Na mori katër ditë me mbledhë 285 firma, se nuk i bëmë dot 300, aq sa duheshin, sepse ‘intelektualet’ e Tiranës nuk donin. Në fund, po të mos ishin 183 studentët që nënshkruan, pa asnjë garanci, si këta 102 të tjerët, ca veglat e Sigurimit të Shtetit e ca teme vullnet të lirë në Shqipëri nuk do të kishte as PD e as opozitë. Mos harroni, PD është legalizuar vetëm me 285 firma… se nuk u bënë as 300…”, – shkruan Shenasi Rama.

Por i menjëhershëm ishte reagimi i Aleksandër Meksit po në “Facebook” duke hedhur poshtë qëndrimin e Shenasi Ramës. Në replikën e tij, Meksi shkruan se PD-ja u legalizua me 350 firma dhe jo me 285. “Legalizimi është bërë me mbi 350 firma. Nuk është mirë që mbi një të pavërtetë të ngrihen insinuata për ata që nuk u pëlqejnë e aq më keq që frymëzojnë ata që 12 dhjetori, që sherret e këtyre ditëve, ua vodhën demokratëve dhe qytetarëve të Tiranës, sherre që po entuziazmojnë ata që edhe pas 25 vitesh nuk e kanë gëlltitur rënien e komunizmit. Përsa u përket sigurimsave dhe kujtdo që i kishte shërbyer diktaturës për dhunë e mbijetesë, ne i dimë…”, – shkruan Meksi.

Në një status tjetër, Meksi i drejtohet sërish Shinasi Ramës: “Numrat në listë nuk kanë qenë vendosur prej meje, se e quajta të panevojshme, por nga botuesi, i cili ka bërë një gabim se pas nr. 289 në vend të 290 vazhdon me 230 deri në fund-275-(V.Spahiu), çka mund ta verifikojë kushdo. Unë e kuptoj që kjo akuzë ishte dashakeqëse, si dhe ato të komunistëve se PD-në e themeluan sigurimsat, një shashkë që të ligjve u vlen për të akuzuar këdo që nuk iu përulet, apo nuk iu mban avazin. Nuk më tremb askush dhe nuk është hera e parë që ky lloj përdor të tilla akuza ndaj meje, kur nuk pranoj t’u nënshtrohem (andej nga viti 2000 kur dola me një plarformë në publik).

Me dashje nuk kam dashur të hyj në detaje për ditët e protestës së studentëve dhe qytetarëve të Tiranës (8-12), që kulmoi me themelimin e PD-së, por me sa duket, do merrem sepse e njoh me detaje. Sa për ata që vërsulen e shpërndajnë për servilizëm gënjeshtrat e insinuata prej rrugaçësh politikë në rrjetin social si laro, nuk denjoj, ka kush u tregon vendin, sepse tiranasit thonë ‘hu më hu po të ecësh, një ditë do ngulesh’ dhe kam parë mjaft raste të tilla dhe nuk ia uroj kujt”.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: