Ndonëse me prejardhje nga fjala latine “sanitatem”, fjala që i shërben sot si titull kësaj rubrike të përjavshme, ka në gjuhën shqipe një përdorim të gjerë, që madje të habit herë pas here, siç ndodh edhe në disa gjuhë të tjera, por jo aq befasues sa në gojën tonë si shqiptarë të veçantë, të posaçëm e të përveçëm që kemi qenë, jemi e do të jemi.

Kështu, përveç kuptimit parësor, për shembull në fjalitë “Si je me shëndet?”, “S’ka si shëndeti!” dhe “Ruaje shëndetin!”, fjala “shëndet”, sidomos në gojën e pijedashësve, ka kuptimin “dolli”, për shembull në fjalitë “Një shëndet për ty, nënë” me rastin e ditëlindjes së saj apo të 8 Marsit, madje, dikur “Një shëndet me fund për Partinë dhe shokun Enver!” (Ndoshta e majta e sotme shqiptare e ka ruajtur këtë traditë dhe, ku i dihet, ende mund të ketë militantë apo simpatizantë të Partisë Socialiste që, me raste tubimesh apo kongresesh të lavdishme kësaj partie, ngrenë nga një shëndet për shokun Rama”, veçanërisht tani që, ashtu si shoku Enver përballej dikur me imperializmin amerikan dhe socialimperializmin sovjetik, kryeministri ynë i ka shpallur luftë, veçse si aleat i të gjitha fuqive të mëdha e të vogla, koronavirusit vdekjeprurës në emër të popullit shqiptar, por – një rrugë e dy punë – ndoshta edhe në emër të popujve të tjerë).

Nga ana tjetër, kur dikush ndahet nga kjo jetë, ne shqiptarët themi “Ah, filanit i lamë shëndetin!” d.m.th. “I dhamë lamtumirën”, por, kur bëhet fjalë për vdekjen e dikujt që nuk e duam, ne themi “Filani na la shëndetin (ose pendët)!”. Gjithashtu, kur dikush bën një gabim, ne i themi me ironi “Mbaje me shëndet!” në kuptimin “Vetë e deshe, vetë e ke fajin, prano pasojat dhe rri urtë!”.

Sidoqoftë, me fjalën “shëndet”, ne shprehim edhe urime si, për shembull, “Qofsh me shëndet!” ose “E mbajtsh me shëndet kostumin e ri!”, ndërsa kur dikush teshtin, ne i themi “Shëndet!”, ndërsa kur ne vetë teshtijmë dhe dikush na bën urimin në fjalë, ne ia kthejmë duke i thënë “Shëndet paç!”. Të mos harrojmë, së fundi, se vetë folja “përshëndes” vjen nga “fjala “shëndet” ashtu si në anglishte (to salute), në frëngjishte (saluer) e në italishte (salutare). Këtë e dëshmon edhe shprehja jonë “I falem me shëndet dikujt”, d.m.th. e përshëndes atë; këtë e përforcon edhe pasthirrma shqipe “falëmeshëndet!”, e cila, sipas “Fjalorit të gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) përdoret për të përshëndetur, nëpërmjet një tjetri, dikë që ndodhet larg.

Përveç kësaj, ne, kur përshëndesim dikë, pavarësisht se mund të jetë mëngjes, drekë apo darkë, përdorim ende fjalën “Tungjatjeta” (në gegërishte “Tungatjeta!”), e cila është njëkohësisht një urim nga më të mrekullueshmit që mund t’i bëjmë dikujt, sepse i urojmë jetë të gjatë duke i thënë pikërisht “T’u zgjattë jeta!”. A mund të ketë vallë urim më të bukur se ky!? Aq më tepër që në themel të zgjatjes së jetës është… është, pra, SHËNDETI. Unë nuk e di nëse ka një gjuhë tjetër, të paktën në Europë, e cila të ketë të njëjtën përshëndetje që ta ngrejë kaq lart jetën e njeriut!

I kërkoj ndjesë lexueseve dhe lexuesve të sotëm për këtë hyrje në temë disi të zgjatur. Po, e pranoj, u zgjata ndoshta më shumë sesa duhej, por qeshë i detyruar nga aktualiteti shqiptar dhe nga ai botëror në kuadrin e përhapjes së rrufeshme të koronavirusit, kësaj pandemie  jashtëzakonisht të rrezikshme për mbarë njerëzimin. Në këto rrethana, ju lutem, o lexuese dhe lexuesve të sotëm, ju përgjërohem o bashkatdhetare dhe bashkatdhetarë, së pari të zbatoni me seriozitetin më të madh këshillat e mjekëve, të këtyre heronjve, që në emër të humanizmit, edhe janë prekur vetë nga virusi Covid-19, ngaqë, bashkë me ekipet e tyre, u përkushtohen me vetëmohim pacientëve për t’i shpëtuar me çdo kusht nga vdekja; së dyti, të ndiqni me vëmendjen më të madhe në mediet elektronike serioze lajmet dhe emisionet e ndryshme ku gazetarë e analistë të kualifikuar ju informojnë me një ndjenjë të lartë përgjegjësie për gjithçka që ka lidhje me situatën; së treti, të ruani vazhdimisht frymën tuaj kritike duke gjykuar me objektivitet sa herë që politikanët dhe sidomos pushtetarët marrin fjalën para jush duke lënë dashur pa dashur në hije mjekët.

Së fundi, të nderuara lexuese dhe lexues të nderuar, pavarësisht shtrëngesave që ju imponon “shtetrrethimi” ose “ngujimi”, pavarësisht kufizimeve në kohë dhe në hapësirë, pavarësisht streseve që nuk ju ndahen, që nuk na ndahen në çdo hap që hidhni, që hedhim, qoftë edhe me ngurrim apo, më keq, me dhimbje, vetëm diçka mos e harroni: Duhet patjetër që jeta të ngadhënjejë! Kjo varet edhe nga ju, nga ne! Rroftë, pra, shëndeti juaj, shëndeti ynë! Tungjatjeta!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb