TIRANE – Shënohet rasti i parë me malarie për këtë vit në vendin tonë. Një 35¬ vjeçar nga Elbasani ka rezultuar i prekur nga sëmundja.

Rreth një javë më parë, ai është paraqitur në pavijonin e Infektivit në QSUT me temperaturë të lartë, ethe dhe të vjella. Nisur nga simptomat e shfaqura dhe kontrollet e kryera, mjekët kanë dalë në përfundimin se 35¬vjeçari ishte i prekur nga malaria. Lajmi konfirmohet edhe nga mjeku infeksionist Arjan Harxhi.

Për gazetën ‘Panorama’, doktori tha se pacienti ka qëndruar për gati një javë në spital ku ka marrë të gjithë ndihmën e nevojshme mjekësore. Gjendja e tij është përmirësuar, ndaj edhe të hënën i riu ka lënë ambientet e Infektivit në QSUT. “Po, ka qenë një rast. Pacienti në fjalë ka marrë të plotë ciklin e mjekimit. Për 6 ditë ka qëndruar i shtruar, dhe të hënën ka mundur të lërë ambientet e spitalit. Mjekimi shkoi shumë mirë dhe pacienti e ka tejkaluar rrezikun për jetën”, tha Harxhi. Mësohet se 35¬vjeçari e ka marrë sëmundjen gjatë qëndrimit të tij në Greqi. Sipas doktorit, ky është rasti i katërt që importohet nga vendi fqinj. Shfaqja e sëmundjes në shtetin helen rrit ndjeshëm rrezikun për përhapjen e saj, duke qenë se edhe numri i emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë aty është i lartë. “Greqia së fundmi është futur në hartën e vendeve ku malaria është shfaqur aty dhe nuk është importuar. Ky është rasti i katërt i prekur

nga malaria në këtë vend. Kjo për disa arsye, siç mund të jenë ndryshimi i klimës, numri në rritje i emigrantëve, si edhe prania e mushkonjës që bën transmetimin e sëmundjes”, bën me dije mjeku infeksionist. Në lidhje me rastin në fjalë, Instituti i Shëndetit Publik ka ndërmarrë të gjitha masat për të mos lejuar përhapjen e sëmundjes. Ekspertet kanë shkuar në vendin ku banon 35¬vjeçari dhe kanë bërë të mundur dezinfektimin e zonës. SITUATA Në vendin tonë ka shkuar mbi 40 numri i të prekurve nga malaria. Sipas Harxhit, pjesa më e madhe e rasteve të regjistruara janë në radhët e atyre që kthehen nga Afrika. Vetëm dy muaj më parë në spitalin e Infektivit kanë qenë dy shtetas afrikanë, ata të cilët kanë marrë mjekim. Mbi simptomat që shfaq sëmundja, doktori sqaron se ajo manifestohet duke provokuar temperaturë të lartë, ethe të forta, të vjella dhe këputje. “Madje mund të ketë edhe çrregullim të ndërgjegjes, kjo e fundit më zakonisht te format e rënda”, shprehet mjeku.

SËMUNDJA
Malaria është një infeksion i shkaktuar nëpërmjet ngacmimit nga mushkonja e malaries. Dëmtimet që sjell kjo sëmundje janë vdekjeprurëse. Simptomat e para shfaqen brenda pak javëve nga pickimi i mushkonjës së malaries. Malaria vazhdon të prekë vendet e varfra, duke shkaktuar çdo vit vdekjen e mijëra njerëzve.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: