TIRANE

Nisma e qeverisë për marrjen e shërbimeve online nga bizneset në portalin e-albania ndonëse është e mirëpritur nga sipërmarrësit vendas ata e cilësojnë të vonuar. Në një intervistë për News24, Kryetari i Bashkimit të Prodhuesve shqiptarë, Arben Shkodra thotë se biznesi kërkon lehtësi të tjera sic janë tarifat apo kostot për procedurat që ato kryejnë.

“E kemi thënë që nuk janë taksat gjëja më e rëndë për sipërmarrjen sesa janë tarifat dhe kosto për tarifa dhe procedurat për tarifa që ne harxhojmë gjatë gjithë kohës. Iniciativa e qeverisë është e mirëpritur por vazhdon të jetë e mangët në një proces më të madh, procesi është gjithëpërfshirës duke përfshirë gjithë ministritë sepse procedurat dhe tarifat miratohen nga ministritë dhe cdo ditë biznesi është përpara faktit që duhet të plotësojë disa detyrime me tarifat përkatëse të cilat e rëndojnë gjatë gjithë kohës aktivitetin e tyre.”

Janë 114 shërbime që biznesi do t’i marrë tashmë online pa qenë nevoja që të shkojë në sportelet e institucioneve. Për Arben Shkodrën moskontaktimi fizik me punonjësit do të ul korrupsionin por ai këmbëngul tek lehtësimi i procedurave që shteti duhet të ketë ndaj sipërmarrësit.

“Ulja e prezencës në sportele na lehtëson por dhe na garanton më shumë trasparencë dhe nuk do të ketë më rryshfet, mitmarrje. Unë besoj që është pozitive dhe për t’u vlerësuar por gjithmonë ngulim këmbë tek një proces shumë herë më i madh që është ai i lehtësimit në shkallë më të gjerë të procedurave që shteti ka ndaj sipërmarrjes.”

Kryetari i bashkimit të prodhuesve shqiptarë kërkon heqjen e procedurave që nuk kanë funksinouar deri më tani dhe thotë se për këtë duhet një bashkëpunim i qeverisë me biznesin.

“Natyrisht që ne nuk themi që duhen lehtësuar të gjithë procedurat ne themi që duhet të hiqen procedurat të jashte përditësuara që nuk kanë më fuqi dhe kanë ngelur aty në sirtare. Duhet të heqim ose të lehtesojmë procedurat qoftë në kohë energji po dhe dokumentacion por dhe në tarifë.”

Një ditë më parë kryeministri Edi Rama ishte në qendrën kombëtare të biznesit ku nisi kryerja online e shërbimeve për biznesin çka redukton 248 dokumente dhe shkurton mbi 3 mijë orë pune.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: