Nga: Darina Tanushi*

Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PS-së, ligji për Shërbimin e Jashtëm është kthyer sërish në një pikë debati mes kryetares së Komisionit të Politikës së Jashtme, Arta Dade dhe ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati. Burimet nga mbledhja me dyer të mbyllura pohuan për “Gazeta Shqiptare” se Dade shprehu pakënaqësitë për ligjin e propozuar nga Ministria e Jashtme, ligj për të cilin grupi i PS-së vendosi që të miratohet në seancën e radhës ditën e enjte pavarësisht kritikave të Dades. Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, duke iu drejtuar grupit mësohet të jetë shprehur se “sugjerimet e Komisionit parlamentar të Jashtëm janë pranuar nga Ministria e Jashtme”. Por, problemi mes Dades e Bushatit mbetet neni i ligjit, ku flitet për kuotën e ambasadorëve që do të përcaktohen nga brenda apo jashtë shërbimit diplomatik. Ky është edhe shqetësimi kryesor i Dades. Edhe në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm javën që shkoi Dade, Blushi, Dokle e Leskaj ishin deputetët që dolën kundër ligjit për shërbimin e jashtëm, që i lë në dorë të qeverisë raportet e emërimeve të ambasadorëve që vijnë jashtë sistemit të diplomacisë. Deputetët kërkuan që kuotat e emërimit të ambasadorëve të vendoseshin në raportet 2/3 me kandidatë nga brenda sistemit dhe 1/3 me kandidatë jashtë tij. Ndërkohë, që ministri Bushati ka mbrojtur përcaktimin se kjo kuotë duhet hequr fare nga ligji. Është pikërisht neni 27 i ligjit për Shërbimin e Jashtëm, ku propozohet heqja e kuotës së përbërjes së shërbimit me jashtë, ai që është diskutuar më së shumti mes Dades e deputetëve të PS-së dhe pritet që për këtë të ketë kritika edhe në seancën parlamentare, pasi ministri Bushati nuk ka pranuar që ta ndryshojë. Sipas ligjit aktual, parashikohet që 80% e diplomatëve të vijnë nga brenda sistemit dhe 20% nga jashtë tij. Sipas Dades, me këtë ndryshim që propozon ministria, qeveria merr mundësinë që 100% të diplomatëve t’i përzgjedhë jashtë shërbimit, pasi nuk ka një përcaktim.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: