Pavarësisht fitores në shifrat 2-0 ndaj Korabit, situata te Kukësi nuk është aspak e qetë. Dje presidenti Gjici ka thirrur në një mbledhje drejtuesit më të lartë të skuadrës, duke nisur nga drejtori Dervishi, menaxheri i përgjithshëm Halili, shefi i klubit Hallaçi dhe trajnerin Gjoka me ndihmësit e tij. Shkak i kësaj mbledhjeje urgjente mësohet të ketë qenë pakënaqësia e presidentit Gjici në drejtim të lojës që ekipi ka shfaqur në sfidën me dibranët.

Në mbledhjen, e cila ka zgjatur për dy orë, numri një i verilindorëve ka shfaqur hapur pakënaqësinë e tij në drejtim të drejtorit Dritan Dervishi, me të cilin ka pasur edhe një debat mjaft të tensionuar, çka ka bërë që ky i fundit të largohet nga takimi duke lënë të kuptohet se ka ndërprerë përfundimisht marrëdhëniet me klubin e Kukësit.

gjici-490x327
Debati
“Ju kam thirrur në këtë mbledhje, pasi nuk jam fare i kënaqur nga ndeshja që skuadra zhvilloi me Korabin. Çfarë ishte ajo fitore, me atë lojë?! Seriozisht, kjo ishte një nga ndeshjet më të dobëta të Kukësit që unë kam parë. Shikoj punë shumë të dobët nga ju, sidomos nga drejtori Dervishi, i cili nuk ka bërë asnjë punë, nuk di ta menaxhojë skuadrën, s’di të menaxhojë grupin, nuk menaxhon dot lojtarët, nuk menaxhon dot situatat”, ishin fillimisht fjalët e Gjicit, që më pas i është drejtuar Dervishit

“Ti Dervishi nuk je për këtë punë, je i paaftë”, ishte akuza e Gjicit në drejtim të drejtorit, i cili është kundërpërgjigjur duke thënë: “Nuk pranoj asgjë nga këto që thua, pasi skuadra e tregoi në fushë çfarë di të bëjë dhe me rezultat”. Por, kjo nuk ka mjaftuar që Gjici të përsërisë faktin që Dervishi është i paaftë. “Vazhdo ti me këtë, unë ika, shëndet”, i ka thënë drejtori presidentit të verilindorëve duke u çuar nga tavolina, ndërsa në sallën e mbledhjeve ka pllakosur heshtja.

Megjithatë, ishte Gjici që ka vazhduar mbledhjen duke kërkuar shpjegime nga trajneri Gjoka. Ky i fundit ka sqaruar me detaje takimin duke folur edhe për momentet kur ekipi nuk është paraqitur mirë. Në përfundim të mbledhjes, presidenti ka urdhëruar një tjetër mbledhje sot në orën 10:00, por këtë herë me futbollistët e tij.

Ndërkohë që “Panorama Sport” është munduar të kontaktojë me drejtorin Dervishi, por ky i fundit nuk u është përgjigjur thirrjeve telefonike. (Panorama Sport)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: