TIRANE – Përveç fundit të lumtur të fitores së Aurela Gaçes, ‘Kënga Magjike’ ka shënuar dhe një incident të rëndë mes kolegëve. Këngëtarët Stine dhe Flori Mumajesi janë konfliktuar fizikisht mes tyre. Ngjarja ka ndodhur pas përfundimit të spektaklit dhe përfundimit të votimit. Sipas të pranishmëve Stine nuk e ka përmbajtur veten dhe e ka goditur Mumajesin me një send të fortë në ballë, duke e gjakosur.

Mësohet se ka qenë Stine ai që ka nisur sherrin ndaj Florit dhe mendohet se shkaku kanë qenë pikët për këngët respektive. Stine i ka dhënë Florit 26 pikë (30 është maksimumi), kurse Flori nuk e ka vlerësuar aq shumë, duke i dhënë vetëm dy pikë. Pas këtij incidenti banal, Ernest Duka, i njohur në muzikë si “Stine”, u shpall në kerkim nga policia dhe u arrestua rreth orës 16:40 të pasdites së sotme. Por Stine ka mohuar se ka goditur kolegun e tij, duke thënë se ai është vetëplagosur. Pasi është marrë në pyetje ai është lënë i lirë, ndërsa policia ka nisur ndaj tij procedimin penal.

Ndërkohë “News24” ka siguruar disa foto ku kantautori Flori Mumajesi duket me një të çarë në ballë dhe i mbuluar në gjak.

NGJARJA
Në përfundim të votimeve, pa u shpallur ende fituesi i “Kënga Magjike”, Flori Mumajesi është nisur për të dalë nga Pallati i Kongreseve, por nga pas e ka ndjekur Stine, i cili pas disa batutash ofenduese, e goditi kantautorin me një send të fortë në fytyrë (mendohet të ketë qenë kupa e festivalit). Aty për aty ka ndërhyrë Altin Goci dhe një person tjetër që shmangu përshkallëzimin e situatës, ndërsa Flori i gjakosur u ndje keq dhe me vështirësi eci në drejtim të rrugës.
Flori ka pësuar një çarje në ballë e cila i është qepur në spital, ndërsa kantautori ka denoncuar ngjarjen tek forcat blu që shërbejnë në urgjencën e QSUT- së, të cilat janë vënë në lëvizje.

NDALOHET STINE E MË PAS LIHET I LIRË
Policia e Tiranës shpalli në kërkim menjëherë pas ngjarjes këngëtarin Stine (Ernest Duka), i cili akuzohet se ka goditur me sende të forta këngëtarin Flori Mumajesi gjatë finales së Këngës Magjike. Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Papa Gjon Pali”, menjëherë pas mbarimit të eventit. Ernest Duka është shoqëruar në Komisariatin numër 1, ku pritet edhe është marrë në pyetje për ngjarjen dhe më pas është lënë i lirë, por ndaj tij ka nisur një procedim penal.

STINE: NUK E GODITA UNË MUMAJESIN
News24 ka zbardhur dëshminë e kantautorit Stine, ose Ernest Dukës në polici. Dëshmia e tij i jep një tjetër drejtim ngjarjes. Stine ka deklaruar se nuk e ka goditur kolegun e tij Mumajesi dhe se ai është vetëplagosur. “Flori Mumajesi është vetëplagosur. Flori Mumajesin nuk e kam goditur unë”, ka thënë Stine për blutë.
(er.nu/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: