Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Vrith të Malësisë së Madhe. Tre persona që nga dita e djeshme rezultojnë të zhdukur ndërsa mendohet se dy prej tyre mund të jenë vrarë. Këto dyshime janë qoftë të të afërmve, të cilët kanë bërë një kallëzim se këta shtetas nuk janë kthyer në shtëpi por edhe policisë së Shkodrës.

Të përfshirë në këtë ngjarje janë shtetasit Vilson Çutaj nga Bajza e Malësisë së Madhe 37 vjeç, Klement Pepaj 21 vjeç nga fshati Vrith. Këta dy dyshohet se janë shtetasit që mund të jenë vrarë edhe pse trupat e tyre nuk janë gjetur ende nga policia. Shtetasi i tretë është Danjel Pepaj 25 vjeç. Ky i fundit dyshohet se është i përfshirë në vrasjen dhe zhdukjen e shtetasve Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj. Sherri mes tyre dyshohet se ka nisur për kultivimin e canabis sattiva në fshatin Vuç Shkurtaj të Malësisë së Madhe, një zonë e shpopulluar thuajse dhe me shumë pak banorë dhe një zonë me një reliev të vështirë malor e përshtatshme për kultivimin e canabisit.

Klement Pepaj e ka kushëri shtetasi Vilson Çutaj, djali i dajës së babait ndërsa të dy dyshohen si të vrarë. Nga ana tjetër Danjel Pepaj është kushëri me shtetasin Klement Pepaj duke qenë se gjyshërit e tyre janë djem xhaxhallarësh ndërsa edhe shtëpitë i kanë rreth 300 metër larg njëri-tjetrit. Të tre këta shtetas dyshohet se kanë patur parcela me canabis dhe ditët e fundit mes tyre ka nisur një debat duke akuzuar njëri-tjetrin se kanë vjedhur sasi canabisi nga parcelat.

Dy ditë më parë gjatë orëve të paradites dyshohet se shtetasit Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj kanë marrë në fshatin Bajzë shtetasin Danjel Pepaj dhe e kanë mbajtur peng për disa orë ndërsa dyshohet se edhe e kanë rrahur. Më tutje në orët e pasdites vonë tre shtetasit janë takuar sërish në një lokal të fshatit Vrith dhe aty kanë debatuar përsëri. Që mbrëmjen e 3 tetorit të tre shtetasit janë zhdukur nga ku mendohet se Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj mund të jenë vrarë dhe trupat e tyre janë zhdukur ndërsa shtetasi i dyshuar si i përfshirë në ketë ngjarje Danjel Pepaj mendohet se mund të ketë kaluar kufirin drejt Malit të Zi përmes zonës kufitare malore në Malësinë e Madhe. Deri vonë pas debatit të lokal lokacioni i celularëve ka treguar se njëri nga të dyshuarit si i vrarë ndodhej në fshatin Bogë të Malësisë së Madhe dhe tjetri në fshatin Razëm. Më pas edhe vendnodhja përmes GPS të celularëve nuk ka funksionuar më. Forca te shumta policie kanë qenë ditën e djeshme në fshatin Vrith por deri më tani efektivët nuk kanë arritur që të gjejnë trupat që mendohet se janë vrarë dhe zhdukur po ashtu as personin e përfshirë Danjel Pepaj.

Përveç tij policia dyshon se ka edhe shtetas të tjerë që mund të kenë bashkëpunuar në zhdukjen e Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj. Vëllai i Vilson Çutaj ka deklaruar për policinë në dëshminë e tij se sherri ka nisur për një femër por policia nuk e beson këtë version dhe dyshimet e forta janë për shkak të kultivimit të canabisit. Janë marrë në pyetje edhe të afërm të tjerë dhe banorë të zonës por kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për këtë ngjarje. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb