NGA: KLODJANA HAXHIAJ*
DURRES- 22-vjeçarja Alda Alushi ka marrë urdhrin e mbrojtjes nga policia e Durrësit, pas arrestimit të bashkëshortit Bledar Alushit, i cili pasi e dhunoi fizikisht e kërcënoi me jetë me një pistoletë, në kokë, në prani të fëmijëve të mitur një ditë më parë. Shkak sipas policisë ka qenë sherri i vazhdueshëm dhe ndërhyrja e vjehrrës, mamasë së bashkëshortit në jetën e çiftit. E shoqëruar nga prindërit e saj, 22-vjeçarja ka marrë të gjitha sendet personale në banesën që ndau për 6 vjet me familjen e burrit e shoqëruar nga policia.

HISTORIA E DASHURISË, PRINDËR NË MOSHËN 17 E 18 VJECARE
Alda Alushi (Kurti), është me origjinë nga Burreli, dhe për të tu martuar me njeriun e saj të zemrës Bledarin ka kaluar të gjitha peripecitë më të mëdha të mundshme. Kundër i pati të gjithë, familjen, miqtë e të afërmit. Familja e saj e mbërritur nga zonat e Burrelit u vendos në Kodër Vilë, ndërsa poshtë kodrës në Currila banonte Bledari. Ata u njohën kur vajza ishte 15 e djali 16-vjeçar, i komunitetit rom. Dy të rinjtë janë dashuruar me njëri-tjetrin dhe premtuan se do të martoheshin. Me të mësuar faktin se i dashuri i vajzës i përkiste komunitetit Rom, prindërit e vajzës kanë bërë të pamundurën për ti ndarë. Madje e kanë mbyllur Brenda në shtëpi, dhe ushtruan presion me të gjitha mënyrat që vajza të mos martohej me djalin nga komunitetit Rom. Në moshën 16 vjeçare vajza është arratisur nga shtëpia e prindërve dhe ka shkuar të jetojë në një banesë të thjeshtë ish kabina plazhi së bashku me familjen e Bledarit, aso kohe 17-vjeçar. Prindërit e vajzës tentuan disa herë të prishnin martesën e vajzës së tyre, madje edhe duke bërë denoncim në polici, se vajza është minorene e rrëmbyer, por e bindur për dashurinë Alda nuk u nda nga bashkëshorti. Me dy fëmijë të mitur dhe pa një punë stabël për të dy prindërit e rinj, midis çiftit ka patur kontradikta. Të afërm të familjes bënë me dije se ajo kishte nisur një javë më parë punën në një rrobaqepësi, ndërsa bashkëshorti punonte si peshkatar amator për të siguruar të ardhura.

Alda është 22 vjeçe ndërsa bashkëshorti 23 vjeç, prindër të dy fëmijëve, 2 e 5 vjec. Dhunimi ka ndodhur në prani të vogëlushëve të tyre. Vajza nga Burreli e djali nga Durrësi i komunitetit rom, u martuan thuajse adoleshentë, kundër vullnetit të prindërve të dy familjeve të tyre, duke jetuar për 6 vjet, në ish kabinat e plazhit në Currila, të cilat nuk kanë asnjë ndryshim nga getot e botës së tretë. Dashuria e tyre bëri që Alda të mos fliste për një kohë të gjatë me prindërit të cilët ishin kundër martesës së vajzës në moshën 16 vjeçare, por ditën e djeshme, pasi mori urdhrin e mbrojtjes ishin prindërit ata që e morën në shtëpi së bashku me dy vogëlushët.

POLICIA
Rreth orës 19:00 të mbrëmjes së datës 27 qershor në lagjen numër 1 në Currila në Durrës, 23-vjeçari Bledar Alushi ka dhunuar fizikisht bashkëshorten e tij Aldën në prani të dy fëmijëve të tyre të mitur. Shkak sipas policisë kanë qenë debate e vazhdueshme midis vjehrrës dhe nuses. Konflikti midis çiftit ka degjeneruar edhe më tej, ndërsa 23-vjeçari ka kërcënuar me armë ë kokë gruan e tij,. Pas kësaj bashkëshortja ka lajmëruar policinë e qytetit bregdetar e cila ka arrestuar bashkëshortin dhunues. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjet një armë zjarri tip pistoletë model-54një krehër pistolete me gjashtë fishekë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Dhunë në familje”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, parashikuar në nenet 130/a dhe 278/2 të Kodit Penal.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: