TIRANE – Altin Dani ka dhënë shpjegimin e tij për konfliktin me armë te pika e basteve në Kombinat. I arrestuari prej dy ditësh për sulmin me armë në lokalin e basteve që ndodhi të shtunën, është justifikuar me pretendimin se ka qenë i dehur.

Në dëshminë e dhënë para oficerëve të Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Tiranës, 40¬vjeçari është pyetur edhe për atentatin ndaj mikut të tij, Pajtim Serjani, që ndodhi një vit më parë te Rruga e Kavajës, duke mohuar të jetë plagosur në atë ngjarje.

Sipas deklarimeve të Danit, duket se ngjarja e së dielës nuk është një tentativë vrasjeje ndaj dy vëllezërve Amarildo e Evi Kapo, i pari pronar i lokalit të basteve. Ai ka pranuar se qëlloi me armë ndaj lokalit të basteve sportive, por, sipas tij, jo për të vrarë njeri, por në shenjë hakmarrjeje ngaqë Amarildo Kapo nuk i anuloi një skedinë që ai e kishte humbur.

Megjithatë, materialet që Policia e Tiranës ka referuar në Prokurori janë regjistruar me akuzat “vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “armëmbajtje pa leje”.

DESHMIA
“Kam qenë i pirë. Nuk mbaj mend me saktësi se çfarë ka ndodhur, por nuk kam pasur si qëllim të vrisja njeri. Sherri ka nisur sepse pronari i lokalit nuk më anuloi një skedinë që e kisha humbur”. Kjo ka qenë një pjesë e dëshmisë që Altin Dani ka dhënë para grupi hetimor, disa orë pas vetëdorëzimit në Polici mbrëmjen e së dielës.

Dani ka shpjeguar se shkonte shpesh në lokalin në pronësi të Amarildo Kapos dhe kishte shpenzuar shumë para me skedinat që vendoste aty. Ndërsa të shtunën kishte konsumuar edhe shumë alkool, duke qenë thuajse në gjendje plotësisht të dehur. Kur ka parë që disa nga ndeshjet nuk dolën me rezultatin që ai priste, i ka kërkuar pronarit që të anulonte skedinën, por ai nuk ka pranuar. Kjo, sipas tij, ka qenë arsyeja pse ai është konfliktuar me të dhe të vëllain, Evi Kapon, që ndodhej aty.

Më pas, ka qëlluar 3 herë me armë në drejtim të lokalit, por, sipas tij, jo për t’i vrarë. Burime nga grupi hetimor thanë se Altin Dani është pyetur edhe rreth atentatit të 5 janarit 2015, që iu bë mikut të tij, Pajtim Serjani dhe ku ai pretendohej se ishte plagosur, por edhe këtë ai e ka mohuar. “Kam qenë me të atë natë, por mua nuk më ndodhi asgjë. Nuk është e vërtetë që jam plagosur. Këtë mund ta vërtetoni lehtësisht duke verifikuar kartelat nëpër spitale”, ka deklaruar Dani.

BASHKEPUNETORI
Policia tha dje zyrtarisht se Altin Dani nuk e ka realizuar vetëm sulmin me armë te Rruga e Qelqit, duke tentuar të vrasë dy vëllezërit Kapo. Mësohet se ngjarja është kryer në bashkëpunim. Sipas të njëjtave burime, është identifikuar dhe shpallur në kërkim personi tjetër që ka bashkëpunuar me Danin. I dyshuari është shtetasi me iniciale A.Z., 33 vjeç, banues në Tiranë, i cili tashmë është shpallur në kërkim policor dhe po punohet për kapjen e tij. (panorama)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: